DOSJA E PLOTË/ SPAK zbulon të gjitha rastet e korrupsionit të Arben Ahmetajt, ish-ministri përfitonte qindra mijëra euro nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur dosjen e plotë për ish-ministrin Arben Ahmetaj, mbi të cilin rëndojnë 3 vepra penale në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Sipas SPAK, Ahmetaj ka përfituar qindra mijëra euro në llogari bankare dhe prona nëpërmjet shit-blerjeve fiktive, ku të përfshirë përveç Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, janë ish-gruaja dhe bashkëjetuesja aktuale e ish-ministrit.

Në dosje thuhet se Ahmetaj ishte në dijeni për problematikat që që evidentonte Ministria e Financave dhe pengesat që kjo e fundit nxirrte për miratimin e fondit për inceneratorët, por sërish ai dha dakordësinë që të lëvrohej fondi, nga i cili përfituan dy bashkëpunëtorët e tij në këtë mega-aferë.

“Personi nën hetim Arben Ahmetaj, ka qenë vazhdimisht në dijeni të problematikave që evidentonte Ministria e Financave dhe pengesat që kjo e fundit po nxime për miratim, në lidhje me procedurën koncensionare me objekt “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit për prodhimin e energjisë ”, apo edhe me diskutimet e komisionit, siç edhe lexohet nga emaili i datës 06.12.2014 kur shtetasi Ervin Mete i ka nisur në këtë datë emailin e përcjellë nga shtetasi Alqi Bllako, me materialin e përgatitur nga komisioni në lidhje me pikat e diskutuara dhe me pikat e diskutimit të Ministrisë së Financës.

Me shkresën nr. 429/1 prot datë 19.01.2016, personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka shprehur dakordësinë për çeljen e investimeve nga Ministria e Mjedisit, detajimin e tyre për vitin 2016, në lidhje me Inceneratorin e Elbasanit në shumën 550 000 000 lekë, Impianti i prodhimit të energjisë nga mbetjet Fier 73 330 000 lekë; Pastrimi i lumit Shkumbin 130 000 000 dhe Mbyllja e vendepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta urbane të qytetit të Elbasanit 740 000 000 lekë, ku në të katërta këto procedura, janë pikërisht miqtë e tij, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri që në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë, kanë përfituar të ardhura”, thuhet ndër të tjera në dosje.