Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas një deklarate të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me vendimin për të rikthyer në detyrë zv.kryeministren, Belinda Balluku.
Bardhi thotë se kjo gjykatë duhet t’i shpjegojë publikut se cilat qenë arsyet dhe motivet që e çuan t’i nënshtrohej presionit të Kryeministrit në çështjen Balluku, duke treguar papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar integriteti.
Bardhi theksoi se Gjykata duhet të sqarojë pse u pranua kërkesa e Kryeministrit për pezullimin e një vendimi penal, ndërkohë që iu refuzua e drejta 1/5 e deputetëve për raste të ngjashme, duke e cilësuar këtë si një shembull të zbatimit të dy standardeve.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
I vetmi shpjegim me vlerë për publikun që duhet të japë Gjykata Kushtetuese është ky: cilat qenë arsyet dhe motivet që e çuan t’i nënshtrohej presionit të Kryeministrit në çështjen Balluku, duke treguar papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar integriteti. Sqarimi i kësaj rrethane do ta çlironte Gjykatën Kushtetuese nga pengmarrja politike dhe do t’i zvogëlonte hendekun e mosbesimit tek kjo gjykatë.
Po ashtu, do të bënin mirë që të shkruanin po kaq gjatë sa sqarimi për publikun, edhe argumentet kushtetuese për pezullimin e një vendimi gjyqësor penal, me efekt individual, me kërkesë të një institucioni kushtetues, siç është Kryeministri!
Deri më sot, s’kanë dhënë asnjë argument kushtetues, përveç idiotësisë kushtetuese se lufta e sistemit të drejtësisë ndaj korrupsionit cënon interesat shtetërore më shumë se vetë korrupsioni qeveritar në një aferë 1.1 miliard euro.
Njësoj e domosdoshme për besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese mbetet sqarimi për dy srandardet e ndjekura: se pse 1/5 e deputetëve nuk legjitimohen për të kërkuar interpretim për masat ndaj një deputeti, ndërsa Kryeministri legjitimohet për të kërkuar interpretim për masat ndaj një ministri.
Kur t’i kenë sqaruar këto, mund të bëjnë edhe një deklaratë përgënjeshtruese ndaj vetes dhe presionit të jashtëzakonshëm që Kryeministri po ushtron për këtë çështje!
Dhe, pasi t’i kenë bërë të gjitha këto, ne të tjerët, s’do të kemi nevojë të dalim dhe t’u themi shqiptarëve një të vërtetë të madhe: që, përmes pengmarrjes së disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama po tenton të pengojë drejtësinë dhe të marrë në mbrojtje korrupsionin qeveritar.