Dorëhiqet kryeministri britanik Keir Starmer, nis gara për pasardhësin

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka njoftuar dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe njëkohësisht nga drejtimi i Partisë Laburiste, duke i dhënë fund mandatit të tij pas më pak se dy vitesh në pushtet.  

Në një deklaratë emocionale përpara rezidencës zyrtare në 10 Downing Street, Starmer tha se çdo vendim që ka marrë gjatë kohës në detyrë ka qenë për “ta vënë vendin që dua në radhë të parë”. Ai falënderoi bashkëshorten e tij, Victoria, të cilën e quajti “mbështetjen e tij më të madhe”, ndërsa shtoi se tashmë dëshiron të jetë “babai më i mirë i mundshëm” për fëmijët e tij.  

Starmer bëri të ditur se do të qëndrojë në detyrë si kryeministër deri në zgjedhjen e liderit të ri të Partisë Laburiste. Ai i ka kërkuar organit drejtues të partisë që procesi të përfundojë përpara rikthimit të Parlamentit në muajin shtator.  

Favoriti kryesor për ta pasuar është Andy Burnham, i cili pritet të betohet sot si deputet për zonën e Makerfield, pasi fitoi zgjedhjet e pjesshme javën e kaluar.  

Dorëheqja e Starmer vjen pas javësh presioni të fortë brenda Partisë Laburiste, rënies së mbështetjes publike dhe rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale, që shtuan thirrjet për largimin e tij nga posti.