Situata është tensionuar këtë të hënë në kantierin e Aeroportit të Vlorës, pas rikthimit në punë të punonjësve të kompanisë “Mabco”, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli.
Punonjësit e kompanisë së Pacollit kanë tentuar të rimarrin administrimin e kantierit, duke u mbështetur në vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, e cila i ka njohur sërish “Mabco”-s të drejtën e administrimit të projektit.
Në momentin e mbërritjes së tyre janë hasur me kundërshtimin e rojeve të sigurisë, të cilat nuk kanë lejuar hyrjen në ambientet e kantierit. Kjo ka sjellë edhe një përplasje fizike, ndërsa raportohet se hyrja është bërë me forcë.
Më pas, tensionet janë zhvendosur në ambientet e brendshme, ku punonjësit e “Mabco”-s janë përballur me stafin e kompanisë “2A Group”, e lidhur me biznesmenin Valon Ademi. Sipas raportimeve, punonjësit e kësaj kompanie janë larguar nga zyrat pas ndërhyrjes së grupit të rikthyer në kantier.
Rikthimi i “Mabco”-s në Aeroportin e Vlorës vjen pasi Behgjet Pacolli njoftoi publikisht se kompania e tij do të rifillonte ushtrimin e të drejtave administrative në projekt, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë.