Kandidatja për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu, ka prezantuar platformën e saj para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ajo tha se ka një eksperiencë 21 vjeçare në sistemin e drejtësisë dhe kjo i jep bindjen se përvoja profesionale e njerëzore përgjatë dy dekadave, përbëjnë garanci për drejtimin e suksesshëm të institucionit.
“Çmos se plotësoj kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligj. Me një eksperiencë 21-vjeçare…Jam e bindur se përvoja profesionale e njerëzore përgjatë dy dekadave, përbëjnë garanci për drejtimin e suksesshëm të institucionit. Ky moment kërkon drejtim që bashkon qartësinë dhe vizonin. Me këtë kandidim synoj të ofroj drejtim të pavarur duke pasqyruar parimet më të larta të shtetit të së drejtës”, tha ajo, duke shtuar: “Sfidat e përballura ndër vite janë shndërruar në përvojë punë duke më pajisur me pavarësi profesionale. Kam vijuar me këmbëngulje të kryej detyrat e mia. Përvoja 21 vjeçare si prokurore më ka bërë për të ecur përpara me një qasje të guximshme. Drejtimi i këtij institucioni kërkon njohje në rrënjë të sistemit dhe përvojën për të vendosur me vendosmëri”, tha ajo.
Prokurorja tregoi edhe dosjet më të rëndësishme që ka hetuar gjatë karrierës së saj në sistemin e drejtësisë.
Musabelliu e vuri theksin te hetimet në trafikun ajror të lëndëve narkotike, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet franceze dhe italiane në hetimin e dosjeve të trafikimit të qenieve njerëzore.
“Në 2015 për herë të parë u evidentua trafiku ajror i drogës. Personat u dënuan me vendim të formës së prerë. Kam bashkëpunuar me autoritetet franceze dhe italiane për dosjet e trafikimit të qenieve njerëzore.
Kam patur në hetim një numër të konsiderueshëm vrasjesh. Pas 2014 kam pasur mundësi të hetoj çështje penale të korrupsionit të funksionarëve të drejtësisë. Mund të përmend procedimin ndaj 6 të pandehurve, ku njëri është ish gjyqtar.
Procedimin në vitin 2016 ndaj një gjyqtari, i dënuar me vendim të formës së prerë. Në 2019, një dosje ku i pandehur ka qenë një ish prokuror. Kam hetuar procedimin 209 i vitit 2020 që ka qenë për vrasje me paramendim, ndaj tre të Pandehurve që janë dënuar me burgim të përjetshëm.
Çështja penale në 2021 dhe 2022 ku janë lidhur marrëveshje me të penduarve të drejtësisë”, deklaroi Musabelliu.