“Do shkoj të vras politikanët”, dënohet me 6 vite burg 37 vjeçari që u kap me arsenal armësh në Lezhë

Gjykata e Lezhës ka dënuar me 6 vite burg Antonio Lekën, i cili u arrestuas pasditen e 9 Janarit 2023 në aksin Milot-Lezhë, pranë fshatit Ishull-Shëngjin.

Në automjetin me të cilin po udhëtonte, atij iu gjetën një armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, një automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, një palë dylbi, një antiplumb ushtarak, një thikë, një çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.

Ai është është shpallur fajtor për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjykata e Lezhës e ka dënuar me 9 vite burg në total atë, por përfitoj nga gjykimi i shkurtuar dhe bashkimi i dy dënimeve, duke iu ulur dënimi në 6 vite burgim.

Kujtojmë se ditën e arrestimit, ishte vëllai i Antonio Lekës ai që denoncoi në polici duke ngritur alarmin, pasi e kishte parë të vëllain me arsenal armësh me vete.

Gjatë momentit të arrestimit Antonio Leka, nuk shfaqi rezistencë ndaj punonjësve të policisë, por u tha se ishte nisur në drejtim të Lezhës, për të vrarë politikanët. “…Do vras politikanët e Lezhës, dhe të zhduk farën e keqe të tyre…” – ka deklaruar Leka.

Ndërkohë, kamerat e një servisi makinash në Ishull-Lezhë kapën Antonio Lekën pak minuta para arrestimit, ku shfaqej me automatik në dorë dhe me një qeleshe në kokë.

Leka rezulton se ka edhe precedent të mëhershëm penalë pasi është arrestuar në vitin 2008 duke shitur lëndë narkotike kanabis, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim për “vrasje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.