Zbardhen detaje të reja nga dosja e SPAK për abuzimet me tenderat e AKSHI-t, ku evidentohet se si një grup personash të lidhur me pushtetin dyshohet se përdorte një skemë të organizuar pengmarrje, kërcënimi dhe presioni, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga koncesione dhe procedura publike.
Sipas dosjes hetimore, Ergys Agasi në datën 06.03.2019 komunikon me ish-deputetin e PS Alqi Bllako, lidhur me një “situatë” në të cilën dyshohet se ish-ministri Damian Gjiknuri “ishte bërë pengesë”, lidhur me përfitimet e paligjshme të tyre.
“Do ja q* robt, do fusim çunat pastaj”, thuhet në komunikim, çka nënkupton se Agasi përdor lidhjet e tij me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për të “hequr” këto pengesa”- thotë SPAK.
“Nga përmbajtja e kësaj bisede, evidentohet se personi me emrin “labi”, është shtetasi Elgerti Bixha, për të cilin shtetasi Ergys Agasi do ta emërojë si administrator në një shoqëri private e cila ka fituar një koncesion me ministrinë e drejtuar në atë kohë nga ish ministri Damian Gjiknuri, i cili pretendohet se është bërë pengesë për realizimin e këtyre përfitimeve të paligjshme nga ana e shtetasve Ergys Agasi, Elgerti Bixha dhe Alqi Bllako. Në këtë komunikim, konkretisht në mesazhin e datës 06.03.2019, ora 21:54:43, shtetasi Ergys Agasi shprehet se: “Do ja qi robt do fusim cunatboastaj..” (do fusim çunat pastaj), çka nënkupton faktin se ai përdor lidhjet e tij me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për të “hequr” këto pengesa”, thuhet në dosjen e SPAK.
Ndër të tjera, përmendet edhe rasti i pengmarrjes së biznesmenit Gerond Meçe, i cili ishte kthyer në një problem.
“Në vijim të këtij arsyetimi, dyshimi i arsyeshëm në ngarkim të shtetasit Ergys Agasi, si organizator dhe pjesëmarrës i pengmarrjes së shtetasit Gerond Meçe, përforcohet dhe nga fakti se automjeti i përdorur për kryerjen e pengmarrjes, rezulton të jetë në pronësi të subjektit “Merkaj 3” sh.p.k., me nipt L31722005D, në pronësi të shtetasit Endri Merkaј”, thuhet në dosjen e SPAK.
Mediat, referuar dosjes së SPAK, kanë publikuar edhe momentet e rrëmbimit të biznesmenit Gerond Meçe, me urdhër të Ergys Agasit pasi nuk tërhiqej nga gara për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
SPAK thotë se ky është momenti që tregon se në 12 gusht të këtij viti, në orën 10:41 në një automjet Range Rover të zi futet një person i ngjashëm me Gerond Meçen.
Personat që SPAK thotë se do ta rrëmbenin sipërmarrësin, mbajnë të veshur uniformën e policisë dhe të agjentëve të BKH-së.
