Nga Giulia Pompili “Il Foglio”
Profesor Li, siç vendosi ta quante veten duke fshehur identitetin e tij, edhe pse vetëm formalisht, jeton në Milano. Dhe nga aty gjatë zbatimit të politikës drastike “Zero Covid” të imponuar nga Partia Komuniste Kineze mbi qytetarët e saj, më tepër për të ushtruar një kontroll autoritar se sa për arsye shkencore, ai nisi të përhapë lajme në profilet e tij në rrjetet sociale.
Li u fokusua sidomos tek protestat, shumë të censuruara në vendin e tij, kundër autoritarizmit të udhëheqjes komuniste kineze. Brenda pak javësh atë filluan ta ndiqnin më shumë se 1 milion përdorues. Por kjo vëmendje mediatike, siç e pranoi edhe vetë Li gjatë një interviste për “Il Foglio” në qershor të vitit të kaluar, solli edhe fillimin e kërcënimit dhe frikësimit sistematik nga qytetarët e tjerë kinezë por edhe autoritetet zyrtare.
Dhe jo vetëm kundër tij, kundër familjes dhe rrjetit të të njohurve. Të dielën që shkoi profili në platformën X @whyyoutouzhele, shkroi se “aktualisht Ministria e Sigurimit në Pekin, po kontrollon një e nga një të 1.6 milionë ndjekësit e tij dhe të gjithë ata që komentojnë.
Ai postoi edhe mesazhe private që kishte marrë nga njerëz, të cilët ishin marrë në pyetje vetëm sepse ishin ndjekës të llogarisë së tij. Nga frika, 200 mijë njerëz nuk e ndjekin më në rrjetet sociale.
Historia e profesor Li është më e afërta për ne, qoftë edhe gjeografikisht, e një disidenti kinez që nuk përfundon në faqet e para të gazetave, që nuk ka një fytyrë apo zë të njohur në Perëndim, por që luan një rol themelor jo vetëm tek kinezët e diasporës, por edhe midis kinezëve që jetojnë brenda kufijve të Republikës Popullore.
Ai informon, dhe përhap lajme pa asnjë lloj censure. Ka një arsye specifike pse ka gjithnjë e më pak disidentë të famshëm dhe të njohur kinezë në Perëndim, dhe pse ne nuk njohim një kundërshtar të vetëm politik të Partisë Komuniste Kineze.
“Nuk ka asnjë ekuivalent kinez të Aleksei Navalni, pasi në Kinë nuk ka parti opozitare, dhe për këtë arsye s’ka asnjë udhëheqës opozitar”-shkroi së fundmi Li Juan në New York Times. Emri i fundit që tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare ishte fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Liu Xiaobo, i cili vdiq në burg në vitin 2017.
Por edhe Çen Guangçeng, i arrestuar për betejat e tij kundër Partisë Komuniste, por që arriti të arratisej duke u strehuar në ambasadën amerikane në Pekin në vitin 2012. Pastaj është edhe Ren Zhiqiang, një sipërmarrës që e kritikoi ashpër Partinë Komuniste Kineze për mënyrën e menaxhimin e pandemisë në vitin 2020.
Ai u zhduk befas nga skena, dhe më pas u mësua se ishte dënuar me 18 vjet burg. Në dallim nga Rusia, në Kinë asnjë kundërshtar politik nuk mund të flasë jashtë vendit, pasi askush nuk mund ta përhapë mesazhin e tij, idenë e tij për një Kinë alternative.
Kjo sepse Partia Komuniste dhe autoritetet kërcënojnë dhe frikësojnë anëtarët e familjes, të afërmit dhe të njohurit, madje edhe jashtë vendit. Dhe sigurisht që trembin qeveritë e vendeve që presin disidentë të caktuar me frikën e vendosjes së sanksioneve ekonomike.
Sipas OJQ-së Dui Hua, 7.371 kundërshtarë politikë ndodhen aktualisht në burgjet e Kinës. Pra disidenca në Kinë ekziston, edhe nëse ne nuk e shohim shumë në veprim. Udhëheqja e Pekinit i frikësohet fjalës më shumë se çdo gjë tjetër, por edhe efektit “Navalni”, që ndër vite ndërtoi një opozitë krijuese ndaj Putinit.
“Largimi nga Kina, nuk të jep domosdoshmërisht lirinë nga kufizimet e regjimit”- shkroi së fundmi britanikja “The Economist”. “Edhe pse Kina nuk e pranon shtetësinë e dyfishtë, shumë emigrantë janë tani thjesht qytetarë të një vendi tjetër. Megjithatë, Partia ka aftësinë të ndikojë edhe tek ata që nuk kanë më pasaporta kineze”.
Udhëheqja i lë të qetë, derisa ata nisin të flasin për çështjet politike:“Që kur Xi Jinping u bë udhëheqës i Kinës në vitin 2012, është zgjeruar fusha e temave të ndjeshme ose tabu, si jashtë ashtu edhe brenda vendit. Të jetosh jashtë Kinës, është bërë e ngjashme me jetesën brenda saj”.
Frika nga të shprehurit mbi çështje shumë të ndjeshme, dhe për pasojë autocensura, është një problem shumë i madh, që ekziston paralelisht me zgjerimin e fuqisë së ligjit për sekretet shtetërore. Pak ditë më parë, udhëheqja e Pekinit miratoi rishikimin për herë të parë që nga viti 2010 i ligjit që e zgjeron sferën e llojit të informacionit që mund të konsiderohet si i rrezikshëm, dhe që tashmë do të përfshijë edhe “sekretet në vendin e punës”.
Kështu, do të shtohet numri i njerëzve që zhduken pasi akuzohen për zbulimin e “sekreteve”, edhe nëse kanë punuar për kompani të huaja (sidomos ato amerikane). Pra një shtet policor dhe i terrorit, që po largon gjithnjë e më shumë edhe investitorët e huaj, të cilët shpesh nuk preferojnë të marrin me vetë në Kinë familjarët apo të afërmit e tyre.