Policia e Durrësit ka zbardhur vrasjen e 51-vjeçarit Valbon Beqiraj, ngjarje kjo, e cila u regjistrua mbrëmjen e djeshme në një pallat në lagjen 12 të qytetit bregdetar.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një debati në tentativë për të blerë lëndë narkotike nga autori i dyshuar Teilor Tivari, i cili është vënë në pranga.
“Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në katin e katërt të një pallati ishte gjetur pa shenja jete, me shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjete të mprehta prerëse, shtetasi M. B., alias V. B., 51 vjeç. Nga veprimet intensive hetimore të kryera, rezultoi se vrasja e këtij shtetasi ka ndodhur rreth orës 10:00 të datës 24.09.2025. Po nga veprimet, rezultoi se në banesën e 51-vjeçarit kishte hyrë shtetasi T. T., 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës, me qëllim blerjen e lëndës narkotike. Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme”, sqaron policia.
Po ashtu në pranga përfundoi dhe një 27-vjeçar, i cili e ka dërguar autorin te banesa e viktimës dhe pas ngjarjes e ka ndihmuar 24-vjeçarin për t’u larguar.
“Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij. Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale”, informon më tej policia.
Grupi hetimor po kryen të gjitha verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.