Dikur mësues matematike në Shqipëri, policia vret shqiptarin në Itali pasi plagosi një karabinier

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në qytetin e Padovas, Itali ku një 55 vjeçar shqiptar u vra nga policia.

Haxhi Çollaku, dikur mësues matematike në Shqipëri kishte 20 vite që jetonte në Itali, por rastet e dhunës ndaj gruas kishin qenë të shumta dhe ajo e kishte denoncuar. Burri kishte 15 vite në përndjekje të saj ndërsa kishte marrë edhe urdhër për t’u larguar nga banesa.

Ditën e djeshme ai ka qenë me makinë poshtë shtëpisë ku jetonte ish gruaja dhe vajza 12 vjeçare. Ka qenë kjo e fundit që ka njoftuar karabinierët.

Patrulla mbërriti për pak minuta dhe mendoi se 55 vjeçari do të bashkëpunonte. Por ai përplasi me makinë një nga karabinierët dhe tentoi ta godiste me thikë. Menjëherë kolegu i tij e ka qëlluar agresorin me dy plumba në këmbë dhe dy në gjoks.

Të dy të plagosurit më pas janë dërguar në spital, por shqiptari nuk arriti të mbijetonte. Karabinieri ndodhet i shtruar me disa fraktura.

Mediat italiane shkruajnë se Haxhi Çollaku nuk kishte arritur kurrë ta pranonte ndarjen nga gruaja e tij.

Prokurori Marco Brusegan po merr në pyetje të gjithë personat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.