Dhunuan monumentin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në Tiranë, nisin hetimet për tifozët polakë

Dy javë pas incidentit të rëndë më 28 gusht, ku tifozët polakë të ekipit Jangelonia dhunuan monumentin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në qendër të Tiranës, Policia e Shtetit ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ngjarja ndodhi gjatë ndeshjes Dinamo–Jangelonia në Arenën Kombëtare dhe u shoqërua me përplasje mes tifozerive.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i ka dërguar një notë proteste ambasadës polake në Tiranë, duke shprehur indinjatën për aktin e rëndë. Ende nuk është bërë e ditur nëse ndaj tifozëve polakë janë marrë masa ndaluese për hyrjen e tyre të ardhshme në territorin shqiptar.

Autoritetet shqiptare po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen e autorëve para drejtësisë.