Dhunuan dy kushërinjtë në Lezhë, shpallet në kërkim vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka dhe djali i tij

Policia e Lezhës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me një konflikt të ndodhur sot ku në ambientet e një lokali u dhunuan Nikolin dhe Gjergj Marku.

Të përfshirë në këtë konflikt janë Gëzim Ndoka dhe djali i tij Kevin Ndoka, konkretisht vëllai i ish-deputetit të PS, Arben Ndoka dhe nipi i këtij të fundit.

Gëzim Ndoka dhe djali kanë dhunuar për motive të dobëta Nikolin dhe Gjergj Markun, të cilët kanë denoncuar rastin në polici ku janë shprehur se autorët kanë qenë të armatosur.

Policia ka shpallur në kërkim Gëzim Ndokën dhe djalin e tij ndërsa po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e këtij rasti.

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 12:30, në ambientet e një lokali në Lezhë, shtetasit Gj. M., 41 vjeç dhe N. M., 41 vjeç (kushërinj), dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit G. N., rreth 53 vjeç dhe K. N., rreth 20 vjeç (babë e bir).

Si pasojë janë dëmtuar shtetasit Gj. M. dhe N. M., të cilët pasi kanë marrë asistencën e nevojshme mjekësore, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit, ku kanë pretenduar se shtetasit G. N. dhe K. N. kanë qenë të armatosur.

Vijojnë kërkime intensive për kapjen e shtetasve G. N. dhe K. N., si dhe një grup i posaçëm hetimor po punon në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.