Dhunimi i Sokol Mëngjesit, Dhoma e Avokatisë vendos të bojkotojë për 3 ditë seancat gjyqësore

Dhoma Kombëtare e Avokatisë (DHKA) ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme pas agresionit fizik ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Dhoma ka vendosur të bojkotojë për 3 ditë seancat gjyqësore përveç atyre që janë për masat e sigurisë që janë me afat të ngutshëm.

“Duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë që e përjetuam me shumë shqetësim e përgjegjësi, për dhunën e ushtruar ndaj kolegut tonë Sokol Mëngjesi, që i urojmë shërim të shpejtë”, tha avokati Maks Haxhia në një deklaratë për mediat pas marrjes së vendimit

Sokol Mëngjesi u dhunua me sende të forta nga 4 persona 6 ditë më parë dhe prej asaj kohe ndodhet në koma.

Me përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe kërkesën e familjareve, avokati Sokol Mëngjesi është nisur drejt Athinës  për të vijuar mjekimin dhe ekzaminimet atje.

Avokati i Sali Berishës u dhunua, mëngjesin e së mërkurës së 29 majit, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ai u dërgua me urgjencë në spital, në gjendje të rënduar. Një nga autorët e sulmit ndaj tij u vetëdorëzua, ndërsa u shpallën në kërkim 3 të tjerët.

Dy ditë më parë, gjykata e Tiranës la në burg Dritan Nanon, i cili u arrestua si organizator i dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, si edhe Dorian Alian, një nga agresorët e sulmit ndaj avokatit.

Edhe për 3 agresorët e tjerët që janë në kërkim nga policia, Drivaldo Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, është caktuar masa “arrest me burg” në mungesë.