Pas Prokurorit të Përgjithshëm, edhe Dhoma e Avokatisë ka dalë kundër ndryshimeve në Kodin Penal. Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia në një konferencë për mediat tha se drafti i Kodit Penal ka një mal me probleme, duke shtuar se ka dënime represive më shumë se në kohën e komunizmit dhe njëkohësisht bie ndesh me parimet e avokatit.
Njësoj si kryeprokurori, Olsian Çela, Haxhia tha se për momentin nuk ka qenë nevoja për krijimin e një kodi të ri.
Haxhia ngre pikëpyetje mbi ekspertët që e kanë përgatitur këtë kod dhe se e kujt ishte kjo iniciativë. Mes të tjerash kërkoi q Kodi i ri Penal të mos kalojë nga Kuvendi.
“Ky draft nuk është si rrjedhojë e nevojës së organeve të drejtësisë. Nga 1995 kur është bërë kodi i fundit janë ndryshuar dhe janë bërë amendamente 23 herë plus edhe 4 vendime të Gjykatës Kushtetuese. Nëse do pretendohet nga ata që kanë bërë këtë kod, që është bërë për të inkuadruar në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, nuk besoj ta thonë, sepse nuk ka logjikë që ta pranojë, që një kod i tillë që është inkuizitor, me dispozita marramendëse, me dënime marramendëse, me teknike juridike që nuk e pranon asnjë mendje profesionale, që të jetë ky një draft që do ta pranojë Evropa. Ky në të gjithë aspektin e vet është në diskordancë me legjislacionin penal evropian, të gjitha vendeve, duke nisur nga rajoni, deri në Evropë dhe më gjerë.
Që të bësh një kod duhet që të jenë aktorët e drejtësisë, jo se është monopoli i tyre, por kanë eksperienca të ndryshme dhe mund të sjellin problematika nga më të ndryshme. Kodi Penal nuk mund të riparohet në këtë mënyrë. Vetëm në Shqipëri ndodh që Kodi Penal, ndryshohet, shfuqizohen nene të caktuar ose shtohen me VKM, është njësoj si me VKM. Kodi Penal nuk mund të ndryshohet sa herë duam ne, sa herë del një problem. Kodi Penal është monopol i Ministrisë së Drejtësisë, i kodifikimit. Ka një drejtori kodifikimi, një drejtori që duhet të ketë personalitetet më të larta në fushat e jurisprudencës. Ky kod, nga kodi që lamë pas nga kodi i diktaturës, po ta krahasojmë me dënimet, ky ka dënime represive. Edhe në kodin aktual, ka dënime të rënda. Madje ka dënime të tjera që nëse një vepër penale dënohet nga 10 në 20 vjet thuhet që po konkurroj edhe ky element shtohet edhe një e dyta, dy e treta, apo edhe 30%.
Edhe sot e kësaj dite nuk e dimë se kush ka qenë në trupën e stafit që përgatiti këtë kod. E dyta, iniciative e kujt është kjo? E treta, cili është qëndrimi i ndërkombëtarëve? Nëse kjo është pjesë e reformës në drejtësi, duhet të kishte vulën e ndërkombëtarëve. Të gjitha këto, vetëm nga pikëpamjet parimore bëjnë që ky kod nuk duhet të jetë”- u shpreh Haxhia.