Dhjetëra mijëra qytetarë protestojnë kundër qeverisë në Bullgari

Dhjetëra mijëra qytetarë dolën sërish në rrugët e Bullgarisë në protesta masive kundër qeverisë, duke e akuzuar atë për korrupsion të përhapur dhe duke thelluar përplasjet politike vetëm pak javë para se vendi të bashkohet me vendet e eurozonës në fillim të vitit të ardhshëm.

Protestat e fundit pasuan demonstratat e javës së kaluar, të cilat u ndezën nga planet buxhetore të qeverisë për rritje taksash, shtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe rritje të shpenzimeve. Pas reagimeve të forta, qeveria u tërhoq nga projekti i kontestuar i buxhetit për vitin 2026.

Kërkesat e protestuesve tani janë zgjeruar, duke përfshirë edhe dorëheqjen e qeverisë qendër-të-djathtë të kryeministrit Rosen Zhelyazkov.

Në kryeqytetin Sofje, protestuesit u mblodhën në sheshin qendror ku ndodhen godina e Parlamentit, e Qeverisë dhe e Presidencës. Me thirrjet “Dorëheqje” dhe “Mafia”, ata kërkuan largimin e kabinetit të koalicionit të pakicës të udhëhequr nga Zhelyazkov.

Studentë nga universitetet e Sofjes iu bashkuan protestave, të cilët, sipas organizatorëve, i kaluan në numër tubimet e javës së kaluar që mblodhën mbi 50 mijë persona. Sipas vlerësimeve të mediave bazuar në pamje me dron, numri i protestuesve tejkaloi 100 mijë vetë.

Në qendër të pakënaqësive qëndron roli i politikanit dhe oligarkut bullgar Delyan Peevski, i sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, partia e të cilit MRF New Beginning mbështet qeverinë. Kundërshtarët e akuzojnë Peevskin se ndikon në politikëbërjen e qeverisë në interes të oligarkisë.

Ndërkohë, koalicioni opozitar We Continue the Change – Democratic Bulgaria njoftoi se ka kërkuar votë mosbesimi ndaj qeverisë, e gjashta e paraqitur deri tani, e cila pritet të zhvillohet sot.

Presidenti bullgar Rumen Radev shkroi në Facebook se demonstratat e së mërkurës përfaqësonin “votë mosbesimi ndaj kabinetit”. Radev, kritik i hapur i qeverisë, u bëri thirrje deputetëve të dëgjojnë qytetarët dhe të “zgjedhin mes dinjitetit të votimit të lirë dhe turpit të varësisë” në votimin e së enjtes.

Bullgaria pritet të bëhet anëtarja e 21-të e eurozonës, unioni monetar që synon thellimin e integrimit mes vendeve të BE-së. Vendi ballkanik me 6.4 milionë banorë do të heqë dorë nga monedha kombëtare, leva, dhe do të kalojë zyrtarisht në euro më 1 janar.