Detaje të reja kanë dalë nga hetimi i Prokurorisë së Posaçme për muxhahedinët e strehuar në Manzë, pas aksionit të djeshëm të policisë, ku u proceduan penalisht 6 persona dhe u sekuestruan kompjutera e dokumente.
Mësohet se sinjalizimi i parë për aktivitetin e paligjshëm të anëtarëve të MEK në Manzë, ka ardhur nga partnerët e huaj. Ndërkohë që informacion shtesë ka patur edhe Drejtoria e Antiterrorit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ka patur dy çështje të ndryshme që po hetohen në një të vetme nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Procedimi penal nga SPAK është regjistruar rreth dy muaj më parë, krahas hetimeve të tjera që ka kryer organi i akuzës për procedime të ngjashme, lidhur me sulmet kibernetike dhe aktet me qëllime terroriste. Burime jo zyrtare konfirmojnë se procedimi mban nr 13/2023, i regjistruar për veprat penale “Provokimi i luftës”, “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”, vepra penale këto, të cilat dyshohet se kryhen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sipas burimeve, anëtarët e MEK, kanë patur veprimtari jo në dëm të shtetasve shqiptar por për vende të tjera.
Dyshohet se anëtarët e MEK kanë tentuar të hakerojnë sistemet shtetërore të Iranit. Pajisjet e sekuestruara gjatë operacionit të të martës, do të dërgohen në laborator për t’u ekzaminuar. Nga të dhënat që do përftohen, varet edhe iniciativa e SPAK për urdhër arreste të mundshme. Informacioni për këtë çështje, për shkak të sensitivitetit po mbahet top sekret nga Prokuroria e Posaçme.
Ndërhyrja e djeshme e policisë në ambjentet e kampit MEK në Manzë të Durrësit, ka ngritur edhe një herë tjetër problemin e sigurisë së këtij kampi. Për shkak të rasteve të implikimit të iranianëve në aktivitet kriminal dhe spiunazhi, Ministria e Brendshme po studion një variant të ngritjes së një poste policore në hyrje të këtij kampi, me qëllim mbajtjen nën kontroll të çdo elementi të dyshimtë. Bëhët fjalë për mbi 3 mijë muxhahedinë të opozitës iraniane, të cilët jetojnë në kamp.
Por brenda këtij grupi popullsie, ka elementë të rrezikshëm që kryejnë aktivitet spiunazhi për llogari të Teheranit. Ndaj dhe është hedhur idea e ngritjes së një poste policore me qëllim prezencën e policisë brenda në ambjentet e kampit.
LEXO EDHE: Muxhahedinët në Shqipëri/ Çfarë është MEK, si erdhën dhe mbështetja nga SHBA