Dështon për herë të dytë seanca për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës

Ka dështuar për herë të dytë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i zgjedhur i LVV-së Avni Dehari ndërpreu seancën dhe tha se e radhës do të zhvillohet pas 48 orëve, më datë 19 prill.

Dehari tha se “nuk pati konsensus” në konsultimet që i thirri paraprakisht me përfaqësuesit e partive politike.

“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025, me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”, tha ai.

“Ju faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim së shpejti”, tha Dehari, ndërsa deputetët nisën të dilnin nga salla kryesore e Kuvendit.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se LVV-ja nuk ka shumicë dhe nuk është “as afër” arritjes së shumicës, prandaj sipas tij, po pengon mbarëvajtjen e seancën konstituive, për të blerë “kohë për pazare politike”.

“Skenari ka qenë i qartë, e vetmja punë që ka pasur ai [kryesuesi i seancës Avni Dehari] është që të hidhte në votim raportin e Komisionit për verifikimin e mandatave dhe kuroumit”, tha Krasniqi.

Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës e quajti të padrejtë ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Abdixhiku e quajti shkelje të rendë dhe “praktikë të mbrapshtë”, vendimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari.