Deri në 10 mijë euro për të shkuar në SHBA, Britani e Kanada, zbulohet laboratori në Korçë që falsifikonte dokumente

Një grup kriminal, i cili falsifikonte dokumente për të shkuar në SHBA, Kanada, Britani dhe në zonën schengen është goditur nga policia e Korçës.

Tre pjesëtarët që merreshin me falsifikimin e dokumenteve të ndryshme kundrejt pagesës, janë vënë në pranga. Ata janë  Thanas Sholla, Besnik Dine, Artur Rakip.

Sipas burimeve të policisë tre personat e arrestuar ishin vëzhguar -prej më shumë se 5 muajsh nga policia dhe nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin prodhonin dhe ju shisnin personave të interesuar, shqiptarë dhe shtetas nga vendet e treta, dokumente shqiptare dhe të huaja, të falsifikuara, për të udhëtuar në hapësirën SCHENGEN, ShBA, Kanada, Angli etj.

Për punën e  tyre të kundërligjshme ata merrnin pagesa të konsiderueshme, që vijojnë nga 300 euro deri në 10000 euro.

Për pasojë, për këtë rast u ekzekutua vendimi i Gjykatës Korçë e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Thanas Sholla 60 vjeç; Besnik Dine 52 vjeç dhe Artur Rakip 57 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e falsifikimit të dokumenteve.

Gjithashtu nga kontrollet e ushtruara në kuadër të këtij operacioni në banesat e Thanas  Shanos dhe Besnik Dines dhe në automjetin e këtij të fundit, gjetën pajisje kompjuterike, makineri plastifikimi, fotokopje dokumentesh të huaja dhe një shumë parash.

Ndërsa, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Artur Rakipit, u zbulua një ambient i përshtatur si laborator për prodhimin e dokumenteve të ndryshme shqiptare dhe të huaja të falsifikuara.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e konsiderueshme dokumentesh të huaja dhe shqiptare të dyshuara të falsifikuara, karta identiteti, pasaporta amerikane, franceze, greke, gjermane, bullgare, leje qëndrimi, leje drejtimi, diploma shkolle, fotokopje dokumentesh të huaja, pajisje kompjuterike, makineri prodhimi dhe plastifikimi, vula, simbole, emblema të shteteve të huaja, automjete, shuma parash të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.