Deputetët e PS ‘harrojnë’ aferat korruptive në Bashkinë e Tiranës, bëhen bashkë dhe i thurrin lavde Erion Veliajt në Kuvend

Një grup deputetësh janë bërë bashkë dhe kanë marrë në mbrojtje kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Pasi ky i fundit u pyet 7 orë në SPAK në lidhje me inceneratorët ndërsa disa drejtorë të tij u arrestuan për dosjen korruptive “5D”, disa deputetë të PS shfrytëzuan Foltoren e Kuvendit, për të treguar se Erion Veliaj është i pafajshëm dhe nuk ka arsye përse ai të sulmohet, duke iu referuar këtu sulmeve të opozitës. Madje duke i thurrur edhe lavde kreut të Bashkise, se sa shumë ka ndryshuar Tirana nën drejtimin e tij.

Mes tyre ishte edhe ish-ministri, Fatmir Xhafaj, Eduard Shalsi, Klotilda Bushka apo Blerina Gjylameti.

Xhafaj tha se Erion Veliajt po i bëhet gjyq publik për dosjen “5D”. Duke komentuar thirrjen e kryebashkiakut në SPAK, ai e konsideroi një bashkëpunim me drejtësinë dhe detyrim kushtetues ndërsa drejtorët e arrestuar për korrupsion sipas Xhafajt nuk përfaqësojnë Bashkinë e Tiranës.

“Të shkosh të dëshmosh para prokurorëve nuk është herezi, por është detyrim ndaj ligjit. Të bashkëpunosh me drejtësinë për të vërtetën është përgjegjësi qytetare dhe ligjore. Të repektosh dhe mbështesësh SPAK, është respekt ndaj pushtetit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, detyrim kushtetues dhe qytetar. Ju po shkoni përtej kësaj logjike, po konkurroni prokurorët dhe vetë gjykatën që ende nuk ka filluar ta gjykoj këtë çështje, pasi është ende një çështje nën hetim. Ju po shkoni edhe më larg, po i bëni gjyq popullor bashkisë. 4 apo 10 drejtorë nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrsesi Bashkia e Tiranës“- tha ai mes te tjerash.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti Eduard Shalsi, i cili i bëri thirrje opozitës që mos ta sulmonte më Veliajn. Madje ai lavdëroi punën e kryebashkiakut, e shkoi më tej duke thënë se Tirana ishte në 2 rajonet më të vizituara në Europë në vitin 2023.

“Tirana ka qenë me fat që për këto vite ka pasur edhe kryeministrin edhe kryetarin e bashkisë në një linjë. Lërini organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, përballuni me argumentat. Po shihja disa nga statistikat, një nga dy rajonet, Tirana me numrin më të lartë të vizitorëve për vitin 2023 në të gjithë Europën. Po si ndodhi kjo, rastësisht? 130 nacionalitete jetojnë sot në Tiranë dhe për ato që nuk e kuptojnë çfarë do të thotë kjo gjë, se mund të thonë një është nga një vend i largët, një është nga një tjetër. Ka një korrelacion midis numrit të nacionalitetit lart dhe faktit se sa tërheqës është qyteti”, tha Shalsi.

Nuk mbetet pas edhe Blerina Gjylameti, e cila mes te tjerash u shpreh:

“Tirana nuk është më ajo që ka qenë para disa vitesh, disa prej jush duhet të kishin edhe një ndjesë kur dalin e flasin, se kanë qenë në pushtet, se kanë qenë në drejtimin e Bashkisë”.

Edhe pse kryeministri Edi Rama në daljet publike ka thënë se nuk komentojnë veprimet e drejtësisë së re, ndërsa vetëm para 2 ditëve paralajmëroi se Partia Socialiste dhe ai vetë nuk do të bëhet mburojë ndaj askujt gabon, duke nënkuptuar se çdokush duhet të përballet vetë me drejtësinë, socialistët nuk e kanë marre parasysh por u turren në Kuvend, për të lavderuar Veliajn.