Deputetja e PD, Albana Vokshi ka bërë një deklaratë të fortë gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ku ka thënë se të premten e kaluar në QSUT kanë ikur dritet dhe për pasojë kanë humbur jetën 4 pacientë të intubuar.
Vokshi ka ngritur shqetësimin për mosfunksionimin e urgjencës në QSUT tashmë prej 2 muaj, pas zjarrit që përfshiu katin 0 të spitalit.
Deputetja thotë se sipas një denoncimi të një punonjësi të QSUT-së, ditën e premte kanë ikur dritat për më shumë se dy orë dhe për pasojë gjatë kësaj kohë kanë humbur jetën 4 të sëmurë pasi kanë qenë të intubuar dhe nuk ka funksionuar linja back-up. Sipas Vokshit, nëse ky informacion do të jetë i vërtetë, ateherë do të ishte një skandal i madh.
‘Ta bënim mbledhjen në Urgjencën e QSUT-së, e cila ka rreth 2 muaj që nuk funksionon. Ka rënë dy herë zjarr. Nuk funksionon asnjë aparaturë. Ende pacientët shkojnë nga një spital në një spital tjetër. Me votat e shumicës, e rrëzuat kërkesën time që ta bënim seancën në QSUT. Sa mund të ndihmonim për zgjedhjen e situatës.
Ka edhe një ngjarje tjetër të rëndë në QSUT. Sipas këtij informacioni, një punonjës që punon në QSUT, thotë se kanë ikur dritat për më shumë se dy orë. Sipas këtij punonjësi, ka pasur 4 të sëmurë që kanë humbur jetën, gjatë periudhës që kanë ikur dritat, pasi kanë qenë të intubuar, nuk ka funksionuar linja back-up. Nëse ky informacion është i vërtetë, do të ishte një skandal shumë i madh. Një spital si QSUT a mund të rrijë pa drita? A është e vërtetë që të premten në mëngjes, duke u gdhirë, kanë ikur dritat? Pse s’ka punuar gjeneratori? Ku janë dërguar pacientët”? tha Vokshi.