David Cameron viziton sot Shqipërinë, takim me Ramën dhe Begajn për emigracionin e paligjshëm

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, do të jetë sot në Shqipëri për një vizitë zyrtare, ku do të takohet me kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj.

Ai do të pritet nga Rama në Kryeministri, teksa të dy do të mbajnë një konferencë të përbashkët në orën 12:50.

Pas Ramës, Cameron do të takohet me Bajram Begajn, i cili do ta presë në Presidencë në orën 14:30. Ndërkohë, ambasada britanike deklaron se fokusi i bisedimeve do të jetë emigracioni i paligjshëm.

“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.

Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.

Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.