Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka urdhëruar Lulzim Bashën që të heqë simbolet e Partisë Demokratike në ambientet private që po përdor. Ishte Partia Demokratike që depozitoi pranë KQZ-së kërkesën për heqjen e logove në ambientin privat, selinë e përkohshme që u mor nga Lulzim Basha kur ishte në krye të PD.
Partia Demokratike, e drejtuar nga Sali Berisha depozitoi kërkesën me argumentin se mund të shkaktojë paqartësi te zgjedhësit, ndaj ishte e nevojshme heqja e menjëhershme e simboleve dhe stemave nga e zyra e Bashës.
Celibashi deklaroi se për zbatimin e vendimit do të ngarkohet policia bashkiake dhe ajo e shtetit dhe do të caktohet një afat për zbatimin e këtij vendimi
“Dakord me kërkesën e bërë nga subjekti zgjedhor PD për tu hequr këto simbole nga ambientet private dhe për zbatimin e këtij vendimi do të ngarkohet policia bashkiake dhe ajo e shtetit. Do të caktojmë edhe një afat në lidhje me zbatimin e këtij vendimi”, u shpreh Celibashi.