Kryeministri kanadez Mark Carney mirëpriti të enjten propozimin që Kanadaja të bëhet vendi i parë asociuar me Bashkimin Evropian, por theksoi se një aleancë më e ngushtë me Evropën nuk synon krijimin e një blloku të ri që do të rivalizonte fuqitë e mëdha të botës.
Deklarata e Carney vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi se marrëveshja e propozuar mund të përbënte një “akt armiqësor” dhe kërcënoi me tarifa të larta ndaj Evropës nëse do të gjykonte se qëllimet e saj nuk ishin miqësore. Trump e cilësoi gjithashtu idenë si “qesharake”.
“Ne e mirëpresim këtë ambicie”, tha Carney në Parlamentin Evropian, duke iu referuar propozimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të bërë publik të mërkurën.
Carney shpjegoi qartë se çfarë kërkon Kanadaja: një integrim më të thellë mes Kanadasë dhe Evropës në fusha si tregtia, mbrojtja, mineralet kritike, inteligjenca artificiale, energjia, hapësira, kërkimi shkencor dhe shërbimet financiare. Qëllimi, sipas tij, është që të dyja palët të jenë më pak të ekspozuara ndaj presioneve ekonomike dhe gjeopolitike.
“Unë nuk po propozoj krijimin e një blloku të tretë për t’u bërë rival i fuqive të mëdha – thjesht një rival me sjellje më të mira”, tha Carney. “Ne nuk kërkojmë pushtet për të dominuar të tjerët.”
Sipas kryeministrit kanadez, objektivi është forcimi i qëndrueshmërisë së Kanadasë, në mënyrë që asnjë vend të mos mund të kontrollojë tregjet e saj, të cenojë sovranitetin apo t’i diktojë zgjedhjet politike.
Për breza me radhë, Kanadaja e ka ndërtuar ekonominë e saj mbi integrimin me Shtetet e Bashkuara. Por tarifat e vendosura nga Trump, kërkesat për lëshime ekonomike dhe deklaratat e përsëritura për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të amerikan po e shtyjnë Otavën të reduktojë varësinë nga SHBA-ja dhe të kërkojë një marrëdhënie më të thellë ekonomike, të sigurisë dhe politike përtej Atlantikut.
Evropa i ofron Kanadasë një tjetër rrugë
Von der Leyen propozoi që Kanadaja të bëhet vendi i parë asociuar me BE-në – një status që aktualisht nuk ekziston në traktatet e unionit dhe që do të duhej të krijohej.
Ajo tha se Evropa dëshiron ta çojë marrëdhënien me Kanadanë në “nivelin më të lartë të mundshëm”.
Carney, i ulur në rreshtin e parë të sallës së Parlamentit Evropian, tundi kokën në shenjë miratimi dhe u ngrit për të përqafuar von der Leyen, ndërsa eurodeputetët e pritën propozimin me duartrokitje në këmbë.
Këtë herë, Evropa po i ofron Kanadasë një tjetër rrugë.
Von der Leyen tha se Kanadaja dhe BE-ja duhet të shkojnë përtej marrëveshjes ekzistuese të tregtisë së lirë dhe të krijojnë një “Aleancë për të Ardhmen”, e cila do të përfshinte një “hapësirë të përbashkët prosperiteti dhe sigurie ekonomike”.
Carney do të presë liderët e BE-së në një samit Kanada-BE në Montreal, më 29 dhe 30 tetor, ku pritet që palët të diskutojnë më në detaje marrëdhënien e re të propozuar.
Rreth 70% e eksporteve të Kanadasë shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara, duke e bërë vendin veçanërisht të ekspozuar ndaj tarifave të Trump. Otava është kundërpërgjigjur me tarifa dhe ka refuzuar kërkesat që Carney i konsideron kërcënuese për sovranitetin kanadez.
Evropa ka ndjekur një tjetër qasje, duke hequr dorë nga kundërpërgjigjja tarifore dhe duke pranuar tarifa deri në 15% për shumicën e eksporteve të BE-së drejt SHBA-së.
Carney ka bërë thirrje për bashkimin e “fuqive të mesme”
Carney ka kërkuar vazhdimisht që vendet me peshë të mesme në skenën ndërkombëtare t’i rezistojnë kësaj forme të presionit ekonomik.
Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, në janar, ai paralajmëroi se kur vendet negociojnë të vetme me një fuqi dominuese, “negociojmë nga dobësia. Pranojmë atë që na ofrohet”.
Trump e kritikoi një ditë më vonë.
Jonathan Wilkinson, ambasadori i emëruar i Kanadasë në BE, tha të mërkurën se Kanadaja nuk po kërkon anëtarësim të plotë në BE, pasi kjo do të kërkonte heqjen dorë nga një pjesë e sovranitetit.
Në vend të kësaj, Otava dëshiron “të afrohet sa më shumë të jetë e mundur” me Evropën, duke rritur njëkohësisht pavarësinë e Kanadasë.
Se çfarë do të përfshijë konkretisht statusi i anëtarit asociuar mbetet për t’u negociuar.
Kanadaja ka ndërmarrë tashmë një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian. Këtë vit ajo u bë vendi i parë joevropian që iu bashkua programit të BE-së për prokurimet në fushën e mbrojtjes, SAFE, me një fond prej 150 miliardë eurosh (173 miliardë dollarë). Kjo u jep kompanive kanadeze mundësi të marrin pjesë në prokurimet e përbashkëta, ndërsa Evropa po rrit shpenzimet për mbrojtjen.
Dy palët kanë diskutuar gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit në energji, minerale kritike, inteligjencë artificiale dhe tregtinë digjitale.
“Politikat dhe retorika e administratës Trump po e shtyjnë qartësisht Kanadanë dhe BE-në të imagjinojnë një botë pa udhëheqje të fortë amerikane dhe të veprojnë në përputhje me këtë realitet”, tha Daniel Béland, profesor i shkencave politike në Universitetin McGill në Montreal.
Nelson Wiseman, profesor emeritus në Universitetin e Torontos, tha se mënyra se si Carney është përballur me Trump ka rritur interesin e Evropës ndaj kryeministrit kanadez.
“Zgjuarsia e Carney-t në marrëdhëniet me Trumpin ka tërhequr vëmendjen e Evropës”, tha Wiseman.
Uashingtoni do ta ndjekë nga afër
Wiseman tha se evropianët e kanë parë prej kohësh Kanadanë si një vend që e kupton veçanërisht mirë Shtetet e Bashkuara, për shkak të lidhjeve të thella ekonomike dhe politike mes dy vendeve.
Sipas tij, gatishmëria e Carney-t për t’i rezistuar Trumpit, në vend që të pranonte shpejt kërkesat e Uashingtonit, e ka forcuar më tej këtë perceptim.
Béland tha se Carney mund të shmangë përmendjen e drejtpërdrejtë të Trumpit gjatë fjalimit të së enjtes, por pa lënë shumë dyshime se kujt i drejtohej argumenti i tij më i gjerë.
“Ai e di se, përtej Evropës, bota do ta ndjekë këtë zhvillim nga afër, përfshirë edhe Shtëpinë e Bardhë”, tha Béland.