Një grumbull hekurash, një makinë e bërë “petë”, një çantë me bukën në një qese dhe atlete të hequra nga përplasja e fortë.
Kjo është ajo që mbeti nga aksidenti i tmerrshëm që ndodhi mëngjesin e djeshëm në Këlcyrë, ku shoferi nga Shkodra, në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, rriti shpejtësinë e makinës duke fluturuar të paktën 80 metra, e duke rënë në Vjosë.
Emigrantët, të cilët kishin marrë guximin për të kërkuar një jetë më të mire duke u larguar nga vendet e tyre, paguan çmimin më të lartë të mundshëm për këtë transport, jetët e tyre.
Vetura e marrë me qira nuk i nxinte sigurisht të gjithë, por trafikanti 24 vjeçar Edison Brengaj, i cili humbi jetën së bashku me 7 emigrantët, e kishte gjetur zgjidhjen duke i futur dy prej tyre në bagazh. Të paktën kështu besohet deri tani nga ekspertët, pasi ajo që ka mbetur nga makina, është e vështirë ta tregojë se sa e madhe ka qenë.
Fotot tregojnë trupat e disa prej të rinjve që kanë fluturuar jashtë makinës, nga përplasja e madhe.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit. Emigrantët, dyshohet se janë futur nga Tre Urat, kanë pritur disa minuta aty derisa ka ardhur automjeti për t’i marrë, për t’i transportuar më pas drejt Hanit të Hotit.
Kur ka kaluar pranë Këlcyrës shoferi ka parë policët dhe ka kthyer automjetin. Në asfalt nuk u gjet asnjë shenjë frenimi, çka tregon se 24 vjeçari as nuk e ka ditur që aty ishte kthesë dhe nuk e ka ulur shpejtësinë.
Të rinjtë kanë paguar secili nga 300 euro për t’i çuar drejt Malit të Zi, në rrugëtimin e tyre drejt ëndrrave në ndonjë vend të BE, rrugëtim i cili i çoi në fakt drejt vdekjes tragjike.