Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Pejë të Kosovës ku një grua është vrarë nga bashkëshorti i saj.
Viktima është Gjyljeta Ukella ndërsa autori Edmond Lajqi, i cili tashmë është ndaluar nga autoritetet. Ata ishin prindër të tre fëmijëve.
Gjithashtu mësohet se Gjyljeta Ukella, ishte prej 20 vitesh punonjëse në drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Pejës.
Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, teksa jepte detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në banesën e çiftit në Pejë, ka deklaruar se ky nuk ishte rasti i parë që çifti kishin probleme.
Ai tha se autori është dënuar tre vite më parë, me 400 euro gjobë për dhunë në familje.
Mbi ngjarjen kanë reaguar edhe politikanët kryesorë në Kosovë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se të gjithë e kanë për detyrë të mbrojnë gratë dhe vajzat. Osmani tha se ky femicid për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe duhet të ndalet me çdo kusht. Ajo shtoi se mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb.
Ky është rasti i dytë në pesë ditët e fundit ku një grua vritet nga një burrë në Kosovë.
Më 12 prill, një 21-vjeçare u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj nga ish-bashkëshorti i saj pas problemeve që kishin për kujdestarinë e fëmijës së tyre.