Burri i ministres plagosi vartësin e saj/ Policia thotë se ka referuar rastin në polici, dëshmia e drejtorit të ATK-së: Më kërcënonte të dorëhiqesha

Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur disa muaj më parë ku burri i ministres Delina Ibrahimaj plagosi me thikë drejtorin e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj.

Ky i fundit më datë 21 nëntor të 2023-ot, është paraqitur te komisariati nr.1 në kryeqytet dhe ka bërë kallëzim penal ku ka thënë se burri i ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj e ka goditur me thikë në trup, por fatmirësisht pa pasoja serioze.

Koshaj ka thënë para oficerëve të policisë se kishte konflikte të hershme me Andi Ibrahimajn pasi ky i fundit i kërkonte të dorëhiqej nga detyra e drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Ndërkohë pas marrjes së denoncimit prej tij, policia është vënë në ndjekje të Andi Ibrahimajt i cili nuk është gjetur në banesë.

Por, raportohet se pas disa ditësh është bërë shoqërimi i tij. Por ka qenë Prokuroria ajo që ka kërkuar nga policia që Ibrahimaj të hetohej në gjendje të lirë, për shkak se zanafilla e ngjarjes dhe goditja e Koshajt ishte bërë për shkak të detyrës.

Ndërkohë edhe pse ngjarja u mësua pas 5 muajsh, pati edhe një reagim nga vetë ministrja Ibrahimaj, e cila tha se konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit të saj dhe se ngjarja është hetuar nga organet e drejtësisë pas padisë së bërë nga pala tjetër.

Sipas saj, hetimet janë pushuar për mungesë provash, ndërsa pohoi se ka ndaluar bashkëshortin të bëjë kallëzim penal.

Ndërkohë edhe policia ka reaguar për ngjarjen ku thotë se ka vepruar në përputhje me ligjin, duke njoftuar se e ka referuar ngjarjen për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”, ndaj Andri Ibrahimajt.

Njëkohësisht, policia konfirmon se Andri Ibrahimajt i është marrë dëshmia pas ngjarjes dhe është lënë i lirë. 

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa media për veprimet e Policisë së Shtetit, pas marrjes së një kallëzimi, sqarojmë se:

Më datë 21.11.2023 i është marrë kallëzimi shtetasit E.K. se, në rrugën “Tefta Tashko Koço” është kanosur dhe goditur për shkak të detyrës nga shtetasi A.I. Shtetasit E.K. i është dhënë vendim mjeko-ligjor.

Në vijim të veprimeve dhe në zbatim të detyrave të lëna nga prokurori i procedimit penal u është marrë deklarim shtetasve A.I., E.M. e O.M. dhe materialet janë referuar në prokurori më datë 04.12.2023 për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasit A.I.

Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar në përmbushjen e misionit të saj për ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut”, njofton policia.