Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka reaguar ashpër ndaj Ilir Metës, pas një deklarate të këtij të fundit. Pasi kreu i PL e akuzoi se u konvertua nga anëtar i Partisë së Lirisë në socialist, pasi doli nga dyert e SPAK, Braimllari tha se Meta është kthyer në një shpifës dhe shantazhues serial që kërkon të mbulojë dështimet e lidershipit të tij.
Braimllari shtoi se me Metën do të merret pas zgjedhjeve të 11 Majit pasi tani është fokusuar te fushata elektorale.
”Nëse ajo më adresohet mua, më vjen keq që është kthyer në një shpifës dhe shantazhues serial, që kërkon të mbulojë dështimet e lidershipit të tij. Ato janë çështje me të cilat do të merrem pas 11 majit, shumë seriozisht, pasi do të kërkoj të drejtën time ligjore mbi atë çështje, por tani jam fokusuar fort te fushata.
Për sa i përket konvertimit apo largimit, përgjigjen ia ka dhënë zoti Faik Basha, kandidati që ishte përballë tij për president të partisë. Përgjigjen e ka dhënë e nderuara ish-kryetarja e gruas. Arsyet që unë kam dhënë një vit më parë, njerëzit pranë tij i dhanë pas konventës së 27 prillit. Pra është e qartë situata. Mënyra se si kanë lëvizur në këtë vit tregon se sa jo seriozë janë”, tha Braimllari në një intervistë në A2cnn.