Loriku është 14 vjeç, tifoz i madh i futbollit dhe Kombëtares shqiptare, të cilën e ndjek shpeshherë në stadium me babanë e tij, sa herë Shqipëria luan në “Air Albania”.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi edhe emrin e ka marrë prej një legjende të Kombëtares, ish-kapitenit Lorik Cana. Ai stërvitet rregullisht me bashkëmoshatarët, me ëndrrën që një ditë të bëhet futbollist.
Loriku i vogël, e priste me padurim Europianin në Gjermani, sidomos pasi Kombëtarja jonë u kualifikua pas një fushate eliminatoresh të shkëlqyer, që ndezi shpresat se mund të bëjmë mirë edhe përballë emrave të mëdhenj të futbollit.
I ati i kishte premtuar: “Do kursejmë pak, që të blejmë biletat dhe ta shohim Kombëtaren ndaj Italisë”. Zemra i rrahu fort, dhe prej asaj dite filloi të kursente edhe ato pak lekë që merrte çdo ditë për në shkollë, për të lehtësuar sadopak të atin.
Babai i Lorikut aplikoi në faqen zyrtare të UEFA-s për t’u bërë pjesë e shortit. Në fazën e parë nuk u përzgjodh, por nuk i humbi shpresat, pasi mendoi të futej në fazën e dytë, për të marrë ndonjë nga biletat e mbetura për Shqipërinë.
Në fund, edhe ai si qindra mijëra shqiptarë të tjerë, nuk mundi të siguronte asnjë biletë. Por shpresat nuk i humbi, pasi dihet që biletat dalin edhe në treg të zi. “Do t’i gjej aty”, mendoi, teksa në mendje kishte fytyrën e lumtur të të birit kur i premtoi se do ta shihnin ndeshjen në stadium.
Në tregun e zi, situata ishte shumë më ndryshe nga ajo që kishte menduar. Biletat që UEFA i shiste për 30 apo 60 euro, tashmë mund të bliheshin minimalisht 400 euro, teksa kishte edhe nga ata që i shisnin edhe më shumë se 1000 euro.
Mundësitë ekonomike nuk i kishte për të paguar shuma të tilla, ndaj vendosi t’i thotë të birit se nuk mund ta mbante premtimin. Të dy, babë e bir, tifozë të mëdhenj të futbollit dhe Kombëtares, do të brohorasin nga televizori për Kombëtaren e të gjithë shqiptarëve.
Dita e ndeshjes erdhi, dhe rrjetet sociale ishin mbushur me foto dhe video nga Gjermania, ku tifozët shqiptarë kishin “pushtuar” Dortmundin dhe jo vetëm. E teksa shfletonte faqet e Facebook-ut dhe Instagramit, përpara tij dilnin fotot e “VIP-ave” me shumë “K”, që kishin shkuar familjarisht për të parë ndeshjen.
Ishin kaq shumë “VIP-a” që kishin arritur të siguronin bileta jo vetëm për vete, por edhe për familjarët e tyre, madje në sektorët më të mirë të stadiumit. Se si i kishin gjetur, askush nuk e di.
Në një video tjetër, shihej kryeministri Rama që kishte mbledhur disa “VIP-a” të tjerë dhe po niseshin me avion drejt Gjermanisë. Por Ramës i falet, pasi e ka bërë rrugë mbledhjen e VIP-ave në evenimente të rëndësishme. I mblodhi kur shtroi iftar gjatë Muajit të Ramazanit, ndaj nuk mund të mos i mblidhte për këtë ndeshje të rëndësishme.
Përveç VIP-ave me shumë “K”, në stadium do të ishin edhe një pjesë e mirë e deputetëve të Parlamentit, që e kishin me kaq shumë dëshirë, sa zhvendosën edhe ditën e seancës plenare, duke thyer rregulloren. Por edhe këtyre u falet, se rregulloren e Parlamentit e përmendin vetëm kur u intereson.
Janë këta deputetë dhe këta “VIP-a”, që bëhen patriotë vetëm kur luan Kombëtarja, ku veshin bluzën kuqezi dhe postojnë foto dhe video vetëm për të shtuar numrin e pëlqimeve në rrjetet sociale.
Janë këta deputetë që marrin nga 3 milionë lekë në muaj dhe nuk kanë folur asnjëherë për problemet e vërteta të zonave ku janë zgjedhur, por hedhin vetëm akuza të padobishme në drejtim të njëri tjetrit.
Janë këta “VIP-a” që nuk i reklamuan një herë bukuritë e Shqipërisë, por tregojnë sa bukur janë resortet në Turqi, Dubai e Greqi. Këta “VIP-a” që shkojnë në fushatat elektorale të të gjitha partive, këta që dalin në spote televizive njëherë me të majtët dhe herën tjetër me të djathtët, mjafton t’i paguash.
Loriku është një personazh imagjinar, por si Loriku janë qindra e mijëra fëmijë shqiptarë, që kishin ëndërr të shihnin Kombëtaren në stadium, por biletat e tyre i morën fëmijët e “VIP-ave”.
Loriku ishte një shembull për të treguar se në Shqipëri nuk grabiten vetëm lekët e buxhetit të shtetit, nuk grabiten vetëm tokat anës detit, por këtu grabitet edhe lumturia.
Në vendin tonë grabiten ëndrrat e fëmijëve, ato ëndrra që nuk u krijuan as nga politikanët dhe as nga “VIP-at”.