Berisha sulmon Altin Dumanin: Në çdo takim kërkon që të ndryshojë Kushtetuta për karrigen e tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me kreun e SPAK, Altin Dumani për të cilin tha kërkon që të ndryshojë Kushtetutën për të zgjatur mandatin e tij në krye të Prokurorisë së Posaçme.

Teksa u ndal te propozimet e Dumanit, i cili kërkoi që të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese që anëtarët e SPAK të kenë mundësi të kandidojnë për një mandat të dytë, në përfundim të mandatit 9-vjeçar, Berisha tha se kjo tregon se Dumani ka frikë nga puna e tij si drejtues i SPAK. Sipas Berishës, Dumani ka vetën një hall, ndryshimin e Kushtetutës për karrigen e tij.

“Pastaj ka vetëm prokurori. A e dëgjuat sot, halli i mandatit. O zotëri, në qoftë se kryer detyrat në zbatim të ligjit, nuk mund të kesh frikë nga puna jote. Ja ku i ke kolegët e tu që kanë dhënë dënime me jetë, jo një, por disa, dhe i morët dhe i nxorët një nga një nga sistemi se dënuan kryebanditët e qeverisë dhe Partisë Socialiste.

Çfarë është kjo, të ndërrojmë Kushtetutën se ka frikë nga puna e tij? Jo mo, nuk ndërron Kushtetuta kurrë. Po, Kushtetuta do ndërrojë, do hiqet e drejta në mënyrë të prerë që prokurori të kontrollojë gjykatësin e dosjes. Kjo nuk ndodh në botë dhe ai ndryshim është urgjent. Po tjetër, për t’i zgjatur afatin, për t’i dhënë këtë apo atë, ta harrojë ai se ndryshon Kushtetuta për këtë. Çfarë pësuan, na thuaj pak ku i ke dënimet tij? Prokuroria e krimeve të rënda ka dhjetëra dënime përjetë, kriminelë nga më të rrezikshmit, ku i ke ti?

Nuk ke asnjë gjer sot se bën pazare. Ky është i fiksuar, në çdo takim kërkon, na ndryshoni Kushtetutën për karrigen time. Jo mor zotëri, nuk ndryshojmë Kushtetutën ne për karrigen tënde. Ti tregon se ke frikë nga puna që ke bërë. Pse ke frikë nga puna që ke bërë, ke qenë prokuror në Skap, do shkosh prokuror prapë diku tjetër, në qoftë se ke punuar, në qoftë se nuk ke punuar, do përgjigjesh”- u shpreh Berisha.

Pjesë nga fjala e Altin Dumanit para KLP në lidhje me propozimin e tij:

“Në kemi propozuar jo riemërim automatik. Propozimi është që të bëhen ndryshime kushtetuese, që prokurorëve të SPAK në fund të mandatit 9-vjeçar t’i jepet mundësia të kandidojnë. Bëhet e mundur mundësia e rifreskimit, pasi ka edhe prokurorë që në fund të mandatit 9-vjeçar nuk do të duan të vazhdojnë. Në rastin e mundësisë për rikandidim, KLP mund t’i thotë qe “performanca juaj nuk është e mjaftueshme për një mandat tjetër”. Opsioni i dytë është atashimi në prokurorinë e Apelit, por ne jemi për opsionin e parë”, tha Dumani në raportimin e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”.