Berisha: Policia përdori dhunë mbi qytetarët, u përdor gaz i skaduar që ishte kthyer në helm

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të dhunës gjatë protestës së djeshme në Tiranë, duke e cilësuar ndërhyrjen si të egër dhe në shkelje të konventave ndërkombëtare.

Berisha tha se policia ka përdorur gaz lotsjellës të skaduar, të cilin ai e cilësoi si të rrezikshëm për shëndetin. Sipas tij, gazi kishte qenë i skaduar prej tre vitesh dhe, pas skadimit, mund të shkaktojë dëmtime serioze shëndetësore, përfshirë edhe humbjen e shikimit.

Kreu i PD-së denoncoi gjithashtu ndalimin e një fëmije 10-vjeçar, i cili, sipas tij, nuk kishte asnjë lidhje me protestën. Berisha tha se fëmija ishte ndaluar teksa dilte nga xhamia dhe po kryente detyra familjare.

Sipas tij, gjatë ndërhyrjes policore ka pasur edhe agresion ndaj deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike. Berisha përmendi si të dhunuar nënkryetarin e PD-së Luciano Boçi dhe deputetët Zija Ismaili e Besart Xhaferri.

“Dje narkopolicia e Ramës e komanduar nga Proda i krimit përdori dhunë të egër ndaj protestuesve. Goditi me të gjitha mjetet, përdori gaz lotsjellës të skaduar, i cili në konventa ndërkombëtare përbën helm luftarak dhe nuk mund të përdoret ndaj protestave. Gazi ishte i skaduar prej 3 vitesh dhe ai pas skadimit njihet se transformohet në helme që japin dëmtime të rënda të sistemeve. Por mund të shkaktojë edhe humbjen e pamjeve. U përdorën topa të ujit dhe mjete të tjera, u goditën me shkopinj protestues paqësorë dhe u ndaluan brutalisht në akte që lartësohen në krime kundër njerëzimit, u ndal një fëmijë 10 vjeç teksa dilte nga xhamia.

Romeo nuk kishte asnjë lidhje me protestën. Ai kishte ardhur me detyra të ngarkuara nga familjarët e tij, e morën në mënyrën më të turpshme dhe kriminale. Do t’u shtojnë kohë të gjatë lutjet e tij ndaj atyre 5 banditëve që tërhiqnin zvarrë një 10 vjeçar. Shkelën konventat ndërkombëtare, fytyra e vërtetë e Edi Ramës, i cili edhe kur të jetë puna për karrigen e tij nuk ndalet as me krime ndaj fëmijëve. U sollën egërsisht dhe në mënyrë të padenjë ndaj deputetëve, agresuan disa prej tyre: Luciano Boçin, nënkryetarin e partisë, Zija Ismailin, deputetin e Beratit, Besart Xhaferrin. Akte këto vetëm të njerëzve në panik të tmerrshëm, njerëzve pa shpresë dhe përpjekje për të mbuluar krimet e Ramës dhe Lubi Ballukut me të tjerë”, tha Berisha.