Berisha për draftin e asociacionit të përgatitur nga Rama: “Thikë pas shpine për Kosovën, shërbim direkt për Vuçiç”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar sot draftin e propozuar nga kryeministri Edi Rama për asociacionin në Kosovë, ku tha se ky i fundit i shërbeu presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Berisha tha se ky veprim ishte goditje pas shpine për Kosovën dhe se Rama nuk ka tagër për të bërë këtë lloj drafti dhe as të ndërhyjë në punët e brendshme të qeverisë.

“Eshtë shërbim direkt, ndaj padronit të tij Aleksandër Vuçiç dhe një goditje pas shpine që këta të dy autokrat të lidhur nga koka e këmbët me krimin e drogën, i dhanë Kosovës. Edi Rama propozoi, jashtë çdo lloj kodi, në një ndërhyrje flagrante në punët e një vendi, projektin e të ashtuquajturit Asociacion. Pa asnjë tagër, pa asnjë autoritet. Ky projekt sigurisht u hodh poshtë nga të gjitha forcat politike të Kosovës. Pasi Kosova nuk e pranoi atë, u detyrua dhe padroni i Ramës të thotë se ai nuk na përshtatet. Por, Edi Rama atë projekt e mori nga sivëllai i tij, padroni i tij Vuçiçi. Përveç projektit, ai përdori një gjuhë ndaj Kosovës, që Putini do ia kishte lakmi. Kosova do kthehet në kohën e bronzit, tha.

Ne kemi mbajtur qëndrimet tona, por shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos rëndojë krizën me Edi Ramën sepse angazhimi i tij, jo që nuk lehtëson, por rëndon krizën në veriun e Kosovës, të krijuar para se gjithash nga projekti i Serbisë së Madhe të Aleksandër Vuçiç. Ai kërkon me çdo kusht që ato komuna, pasi dështoi me ndryshimin e kufijve, t’i ketë të qeverisura prej tij.

Sikundër u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për bashkërendim dhe bashkëpunim me KFOR-in, BE-në dhe SHBA”, tha Berisha.