Kryedemokrati Sali Berisha në një konferencë me gazetarët ka paralajmëruar se shumë shpejt PD do të organizojë protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana e gjithë Shqipëria.
Në fjalën e tij, Berisha foli edhe për skandalin e AKSHI-t dhe mbrojtjen që mazhoranca po i bën Belinda Ballukut, duke mos i hequr imunitetin pas kërkesës së SPAK.
Kreu i PD-së tha se në Strasburg u takua edhe me personalitete të rëndësishme të asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, krahas mbledhjeve në grup apo fjalimeve që pati ai dhe zyrtarë të tjerë të demokratëve.
“Tronditës skandali i AKSHI-t. Mund të them se në sallat e tempullit të demokracisë, fantazma e kreut të organizatës kriminale, Edi Rama ishte më e përçmuara. Shqipëria e Edi Ramës, renditet si një nga diktaturat autoritare që bazohet në drogë. Krahas mbledhjeve ne grup apo fjalimeve, ne patëm edhe takim të rëndësishme me personalitete të asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, ku gjetën mirëkuptim të plotë. Jehona e protestës ishte e fuqishme.
Nga miqtë tanë pritej protestë e dytë, po me aq insistim sa pritet nga të gjithë opozitarët shqiptarë. Unë dënoj aktin puçist të Ramës, me të cilin ai për të mbrojtur veten e tij bllokoi Parlamentin dhe nuk lejoi shqyrtimin e dosjes. Qytetarët do flasin shumë shpejt dhe ne do informojmë për protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana e Shqipëria. Ftoj opozitën dhe opozitarët të vazhdojmë këtë betejë deri në fund. Shpresa e vetme është opozita dhe ajo nuk zhgënjejë”, tha Berisha.