Berisha në Strarburg: Rama bllokoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, foli në lidhje me çështjen e zv.kryeministres, Belinda Balluku dhe shtyrjen e Këshillit të Mandateve ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK për imunitetin e numrit dy të qeverisë.

Sipas Berishës, kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, bllokoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, pasi aferat e saj janë të pandashme nga ato të Ramës.

Sipas Berishës, përmes këtij akti, Rama fakton para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se “ai është padrinoja, jo vetëm i narkoshtetit por dhe i sistemit kleptokratik që ka vendosur në Shqipëri”.

Fjala e Berishës:

Këtu, nga salla e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dënoj me forcën më të madhe aktin puçist, antikushtetues të Ramaduros dhe veglave të tij, Peleshit të parlamentit, të cilët në një vendim jashtë çdo lloji dhe kushtetute bllokoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për arrestimin e kryehajdutes së vendit, Lubi Ballukut, vetëm e vetëm se aferat e saj janë të pandashme me aferat e Ramaduros.

Me këtë akt, Edi Rama fakton para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ai është padrinoja, jo vetëm i narkoshtetit por dhe i sistemit kleptokratik që ka vendosur në Shqipëri.

Me këtë akt, ai u thotë shqiptarëve se ne ju kemi vjedhur dhe do të vazhdojmë t’ju vjedhim.

Por ky vendim është një kushtrim i madh për qytetarët shqiptarë, revoltën, zemërimin e tyre, të ngrihen në revoltë dhe zemërim për të larguar një minutë e më parë këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama, nga pushteti.

Shqiptarët në këtë betejë kanë me vete, kanë mbështetje, kanë aleatë të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe mbarë qytetarët e lirë në Europë dhe në botë, të cilët shohin tashmë qartë tek narkodiktatori i Tiranës një kopje siameze të Noriegës apo Maduros së Venezuelës.