Ish kryeministri Sali Berisha ka mbajtur sot mbledhjen e përjavshme me gazetarët, ku ka folur për çështjen e Arben Ahmetajt. Berisha i cilësoi inceneratorët “një ndërmarrje private të Edi Ramës” duke i quajtur Zoton dhe Mërtirin, të punësuarit e kryeministrit.
Sipas tij çështja e inceneratorëve ka një defekt që në themel të trajtimit të tij në raport me rolin që ka pasur qeveria dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë aferë. Ish-kryeministri theksoi se Rama, të cilin e quan “bossin e sipërmarrjes” ka vjedhur me Gjiknurin energjinë e djegësit të Elbasanit.
Sipas tij, kreu i qeverisë bashkë me Gjiknurin firmosën një kontartë me kompaninë që e administronte, sipas të cilës “kjo kompani ka të drejtën për 30 vite ti shesë shtetit energji. “Nuk ka vjedhje më të paskrupullt”, tha Berisha.
“Sa është e vërtetë kjo? Nuk ka asgjë më larg të vërtetës se sa kjo.” Çfarë janë Mërtiri, Zoto dhe Gugallja? Janë tre socialistë të thekur, biznesmenë ose jo, të hurit ose të litarit, ose jo, të cilët në këtë proces, arrijnë:
-Të futen në garë të qeverisë duke pasur zero eksperiencë në fushën e mbetjeve. Cili biznesmen do i lejonte vetes një vendim të tillë, me zero eksperiencë në fushën e mbetjeve? Asnjë.
-Së dyti, pasi nisën procesin me tenderin e Elbasanit, Edi Rama lëshon një vendim për shpalljen e emergjencës kombëtare të plehrave. A mund të besoni ju se Mërtiri dhe Zoto, kishin fuqi të bindnin Edi Ramën të shpallte emergjencën?
Dy qëllime ishin: së pari shkelmimi i strategjisë së trajtimit të plehrave në landfille dhe seleksiono, të financuar nga BE. Së dyti, shpallja e emergjencës pasi fondet duhet të merreshin nga fondet e emergjencës. Mendoni ju se Mërtiri dhe Zoto mund të ishin kaq të magjishëm? Apo që qeveritarët ishin kaq budallenj?Kjo dëshmon se ndërmarrja është qeveritare, ishte e Edi Ramës. Mireli dhe Klodiani ishin të punësuar privatë në ndërmarrje. Shkojmë pak më tutje, Mireli dhe Klodiani, dy personazhe, tani jo vetëm që duhet t’i merrnin këto, por duhet t’i merrnin me të gjitha kushtet që ata donin. Po ka qeveri, ka ministra që mund të pranojnë të firmosin duke plotësuar të gjitha kushtet e një biznesmeni apo dy biznesmeneve? Kurrën e kurrës. Kjo ndodh vetëm kur sipërmarrja është e qeverisë. A mundej Klodiani dhe Mireli të firmosnin 17 shkresa për 24 orë?”, deklaroi Berisha.
Ai tha se do të ketë negociata me forca të tjera opozitare për protestat lidhur me aferën e inceneratorëve, për largimin e kësaj qeveria, megjithatë nuk dha një datë konkrete për nisjen e protestave.
Ai është pyetur nga gazetarët nëse ka deputetë të PD pranë Bashës që kanë përfituar nga Ahmetaj?
Berisha: Fakte konkrete nuk kam, por do e them hapur, ka qenë një periudhë që PD nuk pranonte të denonconte djegësat. Unë për koicindencë, një familjar i imi është specialist mjedisi, nuk i pranohej që të bënte deklarata nga partia. Më vonë u denoncua, por e sigurtë që në një periudhë të caktuar jo të shkurtër PD nuk ka lejuar ekspertët e saj që të bëjnë denoncime. është folur që këta kanë lidhje midis Bashës dhe Mërtirit e Zotos por unë nuk kam të dhëna. Di që për muaj të tërë nuk pranohej që të denoncohej djegësat nga kjo seli.