Berisha i shtrin dorën Gazment Bardhit: Nga vjeshta populli do të ngrihet në protesta për të përmbysur regjimin

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka shtrirë dorën për bashkëpunim kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe Partisë së Lirisë.

Berisha tha se me grupin tjetër të PD shpreson të gjejë mirëkuptim por në mënyrë kategorike përjashtoi bashkëpunimin me Bashën, për të cilin tha se është peng i Ramës.

“Unë shpresoj që me grupin tjetër do gjejmë mirëkuptim të plotë. Ata kanë mbajtur qëndrim të drejtë ndaj primareve. Kurse me pengun e Edi Ramës vetëm kur të pranoj Edi Ramën në koalicion apo në bashkëpunim mund të pranoj pengun e tij.Lul Basha është në një mision si peng i vërtetë si një njeri që Rama kur të dojë i pret fletën e arrestit me afat burgimi minimumi 6 vjecar. Nuk mund të ketë. Është shndërruar në një vegël të verbër të Edi Ramës”, tha Berisha.

Berisha u pyet nëse do të ndahen rrugët me Partinë e Lirisë apo jo. Ish-kryeministri u shpreh se do të bëjë gjithçka që populli të ngrihet në protesta dhe se nga ky mision nuk do të heqë dorë. Ai tha se do të jetë një aleancë e fuqishme që do përmbysë këtë regjim.