Ish kryeministri Sali Berisha është shprehur i vendosur për të qëndruar në politikë dhe për të “përzënë” siç thotë ai Ramën me protesta. Duke folur sot në një konferencë ku prezantoi raportet mbi zgjedhjet e 14 majit, Berisha tha se është rikthyer fuqishëm në politikë, duke korrur sukses. Kjo pasi sipas tij pa vulë dhe pa asnjë qindarkë, ai arriti të merrte 500 mijë vota.
“Zgjedhje do të ketë në 2025 dhe PD do te bëjë gjithçka që të ikë Rama nga pushteti. Njeri që të na garantojë votën nga jashtë nuk ka, ndaj po e bëjmë këtë punë me shumë përkushtim. Edi Rama ikën me protesta të fuqishme. E kam theksuar disa herë, se kjo është faza e mbrojtjes së votës. Pas datës 23 korrik që përfundojnë zgjedhjet në Rrogozhinë, PD kthehet në fazën e saj të një analize elektorale. Ne do të bëjmë analizën e plotë. Rikthimi im ishte i suksesshëm, ku pa vulë, pa emër, pa një qindarkë, me të gjithë këtë gjigandizëm të dhunimit të votës, 500 mijë idealistë nuk u mposhtën. Kjo është lokomotivë që do të përmbysë Edi Ramën. Imagjino sikur të kishte ecur çfarë katastrofe do të ishte për Shqipërinë. Ndaj këtu t’i ndajmë gjërat.”, tha Berisha.
Ai theksoi se Rama ka vendosur një monizëm në Shqipëri me ndihmën e Lulzim Bashën, të cilin sipas Berishës po e përdor si “limon të shtrydhur, si vegël të shpifur”.
“ Rama realizoi gjithçka përmes pengmarrjes së Bashës”, tha Berisha.