Ish-kryeministri Sali Berisha, ka thënë se operacioni me urdhër të SPAK ku u arrestua Oltion Bistri, prokurori Lita e biznesmeni Pëllumb Gjoka është dekonspiruar.
Berisha thotë se u arrestuan vetëm katër persona pasi të tjerët ja mbathën, pasi u njoftuan njëlloj si “kryedezertori” Arben Ahmetaj.
“Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe dështimin e operacionit antikrim të ndërmarrë dje dhe pardje, në të cilin, nga 15 mandate arresti, janë ekzekutuar gjithsej 4. 11 të tjera janë shitur. Janë shitur me shumë marramendëse, me shuma që shkojnë, siç flitet edhe 3 dhe 5 milionë euro.
Ju konstatuat se dje gjithë ditën, kishte dy njoftime, njëri se u arrestuan 6, në një kohë kur kishte vetëm katër emra. Nuk dilnin me 4, se do kuptohej se dështimi ishte total.
Së dyti, të tjerët ia kanë mbathur me kohë, sipas TIMS, dhe mjerisht keqpërdorin gazetarët në mënyrën më të pandershme, i dezinformonin.
Se ikën para apo prapa, ata të gjithë ishin në Shqipëri. Njësoj siç u informua kryedezertori Arben Ahmetaj, u njoftuan edhe këta. Këtu jemi në një praktikë të zakonshme të këtij pushteti krimi për të njoftuar kriminelët që të largohen.
Mediat kanë publikuar dje transkript të komunikimit të Taulant Ballës me Bajrët, jo për këtë rast, por për rastin e lojërave të fatit, ku thonë se Taulanti është në rregull për licencimin, ligjin apo ça kanë, por duhet të gjejmë ndonjë deputet demokrat që të ecim përpara.
Vetë Taulanti, pasi garanton largimin e 9 kriminelëve me mandat arresti, u shpreh dje duke u kujtuar shqiptarëve atë përrallën që thotë, më jep kandarin, por mos kujto se do masim paratë. Edhe ky, bravo i qoftë policisë, por mos kujtoni se i njoftova unë.
Po çfarë bravo ka këtu, kur 11 kriminelë ikën? Ky është sukses spektakolar i krimit.
Ndaj dhe unë e dënoj këtë akt si një krim shumë të rëndë shtetëror. Asgjë nuk mund të mbrojë këta.”
Gjithashtu Berisha thotë se Oltion Bistri, një nga të arrestuarit e ditës së djeshme, njihet me pseudonimin ‘Çami’ në botën e krimit, edhe spe ka mbajtur poste të rëndësishme në polici.
“Olti Bistri njihet në botën e krimit me pseudonimin Çami. Ish-shefi i komisariatit në Pogradec, dhe më pas në Forcat Operacionale, dhe i kërkuar në Maqedoni për trafik të lëndëve narkotike në Maqedoni. I kërkohen shenjat e gishtave. Jahti luksoz i kapur në Greqi është i Olti Bistrit dhe çantat e hashashit janë me mbishkrimin Çami”, tha Berisha.