Bëri parakalim të gabuar, 29-vjeçarja shqiptare shkakton aksident me dy të vdekur në Kroaci, humbin jetën motër e vëlla

29-vjeçarja shqiptare Klevisa Ymeri është ndaluar nga autoritetet në Kroaci, pasi u përfshi në një aksident më datë 9 prill ku humbën jetën dy të rinj, motër dhe vëlla.

Sipas mediave kroate, 29-vjeçarja drejtonte një fuoristradë BMW me targa sllovake, dhe ka parakaluar makinën para saj, duke shkaktuar përplasjen kokë më kokë me makinën që drejtohej nga 21-vjeçari Stjepan Đerek, që po vinte në drejtim të kundërt.

Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën në vendngjarje 21-vjeçari dhe motra e tij 19-vjeçare Katarina. Vetë e reja shqiptare ka pësuar lëndime të lehta dhe për këtë arsye është transferuar në repartin e kirurgjisë në Spitalin e Dubrovnikut. Pas kurimit dhe daljes nga spitali, Ymeri është arrestuar nga policia.

29-vjeçarja është lënë me masën e paraburgimit për 30 ditë për shkaktim të aksidentit me pasojë vdekjen.