Belinda Balluku në SPAK, zv.kryeministrja do pyetet për inceneratorin e Tiranës

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me thirrjen në SPAK të zv.kryeministres Belinda Balluku, këtë pasdite.

Numri dy i qeverisë është thirrur nga prokurori Dritan Prençi për tu pyetur në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës, si person që ka dijeni.

Ndërkohë pritet që dëshmia e Balluku të jetë e gjatë ndërsa më shumë detaje pritet t’i japë vetë Balluku kur të dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Rikujtojmë se dy njerëzit e afërt të Ballukut përballen sot me probleme me drejtësinë.

Ish-kreu i ARRSH-së Evis Berberi është në qeli për shkak të abuzimeve me fondet e shtetit, ndërkohë që kreu i Tatimeve, Ceno Klosi, po hetohet për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, pas denoncimeve të bëra ndaj tij nga Partia Demokratike.