Belerit iu refuzua kërkesa për t’u betuar si kryebashkiak, “Kathimerini”: Athina kërcënon aspiratat evropiane të Shqipërisë

Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi sot kërkesën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës.

Ndërkohë ky vendim është pasqyruar edhe në mediat greke, më konkretisht te “Kathimerini”.

Kjo e fundit në shkrim ka cituar fjalët e avokatit të Belerit por ka përmendur edhe tensionet që janë krijuar mes Shqipërisë dhe Greqisë për këtë çështje.

“Kjo situatë ka tensionuar marrëdhëniet greko-shqiptare, me Athinën që kërcënon të pengojë aspiratat e anëtarësimit të vendit ballkanik në BE për këtë çështje”.

Shkrimi i “Kathimerinit”.

Apeli i Gjykatës Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) hodhi poshtë të hënën kërkesën e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, për betimin para këshillit bashkiak.

Avokati i tij, siç citohet në raportet lokale, tha: “Po shkelet e drejta për zgjedhje, betimi duhet të ishte bërë”.

Ai kritikoi më tej vendimin e gjykatës, dhe theksoi se nuk ishte dhënë asnjë arsye për refuzimin.

Mbrojtja e Belerit thuhet se përmendi synimin e tyre për të kërkuar shkarkimin e gjyqtarit, me planet për të apeluar në Gjykatën e Lartë të vendit.

Beleri u arrestua në maj me akuzën e shitblerjes së votave pak para se të siguronte fitoren në zgjedhjet komunale në rajonin me shumicë etnike greke në jug të Shqipërisë. Ai mbahet në paraburgim.

Situata ka tensionuar marrëdhëniet greko-shqiptare, me Athinën që kërcënon të pengojë aspiratat e anëtarësimit të vendit ballkanik në BE për këtë çështje.