Bashkimi Europian ka deklaruar se ndihmat humanitare për Palestinën nuk do të pezullohen, pavarësisht deklaratës së Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili një ditë më parë tha se “ pas sulmit të grupit militant Hamas ndaj Izraelit të shtunën “të gjitha pagesat [për palestinezët] do të pezullohen menjëherë”.
Ditën e sotme Ministrat e Jashtëm europianë do të mblidhen për të diskutuar për këtë çështje, teksa të gjithë duken dakord për vijimin e ndihmës për popullin palestinez, pasi sipas tyre, ata nuk kanë lidhje me organizatën e Hamasit.
Por pavarësisht se BE do të vijojë ndihmat, ushtria e Izraelit që ka marrë kontrollin e kufirit dhe “murit të hekurt” ka ndaluar të gjitha furnizimet që hyjnë në Gaza, përfshirë ushqimet dhe ilaçet.
Ndaj do të duhet edhe një marrëveshje mes Bashkimit Europian dhe kryeministrit Netanyahu që populli palestinez të ketë ndihma mjekësore dhe ushqimore, teksa raketat dhe plumbat vijojnë të jenë prezentë në çdo cep të Palestinës.