Brukseli dhe Uashingtoni po monitorojnë nga afër situatën pas raportimeve për një shpërthim të dyshuar të murtajës në Siberi, Rusi, pas vdekjes së një punonjëseje laboratori.
Komisioni Europian tha se po ndjek “shumë nga afër” situatën lidhur me rastin e dyshuar të murtajës pulmonare në Siberi dhe se është i gatshëm të koordinojë një përgjigje mes vendeve anëtare, nëse do të jetë e nevojshme.
Rasti u bë publik pas vdekjes, më 2 tetor, të një punonjëseje të Institutit të Kërkimeve Kundër Murtajës në Irkutsk, e cila dyshohet se kishte thyer një epruvetë që përmbante patogjenin e murtajës. Vdekja e saj iu atribuua një “pneumonie me etiologji të panjohur”.
Pas incidentit u morën masa parandaluese në rajon. Rreth 200 persona që kishin pasur kontakt me punonjësen e laboratorit janë vendosur nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore.
Autoritetet ruse deri tani nuk kanë konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e një shpërthimi të murtajës, por raportimet kanë ngritur shqetësime ndërkombëtare.
“Jemi në dijeni të raportimeve lidhur me incidentin laboratorik në Rusi, që duket se përfshin një patogjen që shkakton murtajën”, tha të hënën një zëdhënës i Komisionit Europian.
“Shëndeti publik është gjithmonë një përparësi për ne, ndaj jemi në kontakt me ekspertët tanë në Qendrën Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve”, shtoi ai.
Çfarë është murtaja pulmonare?
Murtaja pulmonare është një infeksion i mushkërive që përparon shpejt dhe shkaktohet nga bakteri Yersinia pestis. Sëmundja mund të transmetohet përmes pikave të frymëmarrjes gjatë kontaktit të afërt me një person të infektuar.
Ajo mund të ketë një shkallë të lartë vdekshmërie, por mund të trajtohet në mënyrë efektive me antibiotikë modernë, veçanërisht nëse trajtimi nis herët.
Zëdhënësi i Komisionit Europian tha se pas pandemisë COVID-19 vendet janë “shumë më të përgatitura për çdo pandemi”, duke theksuar se shtetet kanë rezerva antibiotikësh.
Komisioni po përdor Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të marrë përditësime nga autoritetet ruse, me të cilat kontaktet e drejtpërdrejta të homologëve europianë janë kufizuar ndjeshëm që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Për momentin, Komisioni Europian nuk planifikon të thërrasë një takim të posaçëm dhe as të marrë masa emergjente.
Edhe SHBA monitoron situatën
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë reaguar ndaj raportimeve. Departamenti amerikan i Shtetit tha se po e monitoron situatën “nga afër” dhe i bëri thirrje Moskës të sigurojë informacion “të saktë”, shpejt dhe në mënyrë transparente.
Edhe Komisioni Europian theksoi rëndësinë e raportimit në kohë dhe transparent të çdo zhvillimi.
Murtaja nuk është shfaqur në Europë në formën e shpërthimeve të mëdha për më shumë se 50 vjet.