BBC: Jeffrey Epstein strehonte viktimat e abuzimit në apartamente në Londër

Financieri i dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, strehoi gra që pretendojnë se ai i abuzoi në disa apartamente në Londër, në vitet pasi policia britanike vendosi të mos e hetonte atë, zbulon BBC.

Ne gjetëm prova për katër apartamente, të marra me qira në zonën e pasur Kensington dhe Chelsea, përmes faturave, email-eve dhe regjistrave bankarë të përfshirë në dosjet Epstein. Gjashtë nga gratë që kanë jetuar në to janë shfaqur më pas si viktima të abuzimit të tij.

Shumë prej tyre – nga Rusia, Europa Lindore dhe vende të tjera – u sollën në Mbretërinë e Bashkuar pasi Policia Metropolitane vendosi të mos hetonte akuzën e vitit 2015 nga Virginia Giuffre, e cila pretendonte se kishte qenë viktimë e trafikimit ndërkombëtar në Londër.

Policia Metropolitane deklaroi se në atë kohë kishte ndjekur “linja të arsyeshme hetimi”, duke intervistuar Giuffre disa herë dhe duke bashkëpunuar me hetuesit amerikanë.

Sipas email-eve në dosje, disa nga gratë që jetonin në apartamentet londineze u detyruan nga Epstein të rekrutonin të tjera në skemën e tij të trafikimit seksual, si dhe transportoheshin rregullisht në Paris me Eurostar për ta takuar atë.

BBC analizoi miliona faqe dokumentesh të mbledhura nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në hetimin ndaj financierit të diskredituar, për të rindërtuar pamjen më të detajuar deri më tani të veprimtarisë së tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Rezulton se operacioni i tij ishte më i gjerë nga sa mendohej më parë – me më shumë viktima, infrastrukturë të konsoliduar si strehimi dhe lëvizje të shpeshta ndërkufitare të grave – deri në vdekjen e tij, pavarësisht paralajmërimeve ndaj policisë britanike.

Ne nuk publikojmë detaje për gratë e reja për të mbrojtur anonimitetin e tyre si viktima të abuzimit seksual.

Hetimi ynë zbuloi se policia britanike kishte edhe mundësi të tjera për të hapur një hetim ndaj Epstein në Mbretërinë e Bashkuar, përveç ankesës së Giuffre se ishte trafikuar dhe detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me Andrew Mountbatten-Windsor në vitin 2001. Ai i ka mohuar gjithmonë akuzat.

Deri në fillim të vitit 2020, një grua e dytë kishte bërë ankesë pranë Policisë Metropolitane se ishte abuzuar nga Epstein në MB. Nuk është e qartë nëse kjo ankesë u ndoq.

Autoritetet britanike gjithashtu e dinin në vitin 2020, menjëherë pas vdekjes së Epstein në burg, se ai kishte marrë me qira të paktën një nga apartamentet e identifikuara nga BBC.

Avokatja për të drejtat e njeriut, Tessa Gregory, deklaroi se ishte “e tronditur” që nuk ishte hapur asnjëherë një hetim në MB, pasi iu paraqitën gjetjet.

“Aty ku ka akuza të besueshme për trafikim njerëzor, shteti britanik ka detyrim ligjor të kryejë një hetim të shpejtë, efektiv dhe të pavarur,” tha ajo.

Policia Metropolitane u përgjigj se ishte e sigurt që kishte përmbushur detyrimet sipas nenit 4 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton lirinë nga skllavëria dhe puna e detyruar.

Kevin Hyland, ish-drejtues i lartë i policisë dhe ish-komisioneri i parë kundër skllavërisë në MB, tha se policia kishte humbur mundësi për të hetuar.

“Njerëzit janë të indinjuar që dikush doli dhe tha ‘jam trafikuar nga ky njeri’, dhe megjithatë ai u lejua të vazhdonte. Kush e mori këtë vendim?” u shpreh ai.

Ai shtoi se hetuesit mund të kishin monitoruar karta krediti dhe adresa IP për të identifikuar persona që rezervonin shpesh bileta për grupe grash të reja.

“Epstein ka vdekur. Por është e qartë që nuk vepronte vetëm. Kush tjetër ishte i përfshirë dhe çfarë krimesh mund të kenë kryer? Dhe më e rëndësishmja, a po vazhdon kjo ende?” tha Hyland.

Jeffrey Epstein, ‘qiradhënësi’

Pak muaj para arrestimit të tij, hetimi zbuloi se Epstein komunikonte në Skype me një grua të re ruse që jetonte në një nga apartamentet që ai paguante në Londër.

Ai i dërgoi një foto të vetes, dhe ajo me shaka e pyeti kush ishte burri në foto. Epstein u përgjigj se ishte “qiradhënësi i saj”, por ndryshe nga të tjerët, ai paguante qiranë në vend që ta merrte.

Gruaja më vonë i kërkoi para për kurse anglishteje, mobilim dhe këshilla për vizë për një tjetër grua ruse.

Këmbimi i mesazheve në vitin 2019 tregon se Epstein mbante kontakte të vazhdueshme me gratë dhe ishte i përfshirë në detaje të jetës së tyre.

Në disa raste, kushtet e jetesës në apartamente ishin të mbingarkuara dhe gratë detyroheshin të flinin në divane. Kur ankoheshin, Epstein reagonte me zemërim.

Në një rast, ai i tha një gruaje se do t’i paguante qiranë si “dhuratë” vetëm nëse punonte për të për gjashtë muaj; përndryshe, do të konsiderohej hua. Në mesazhe të tjera, ai përdorte gjuhë fyese dhe e quante atë “e pasjellshme” dhe “me sjellje të neveritshme”.

Disa gra u detyruan gjithashtu të rekrutonin të tjera në skemën e tij.

Trafikim me Eurostar

Epstein përdori trenin Eurostar për të transportuar gra drejt dhe nga Mbretëria e Bashkuar deri në arrestimin e tij në korrik 2019.

Ai bleu të paktën 53 bileta nga 2011 deri në 2019, shpesh duke përfituar nga tarifat për të rinjtë.

33 prej tyre u blenë pas ankesës së vitit 2015. Në gjashtë muajt e fundit të jetës së tij, ai organizoi 10 udhëtime të tilla, me një rast vetëm 16 ditë para arrestimit.

Kush punonte për të në MB?

BBC identifikoi disa persona në MB që punonin për Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij Ghislaine Maxwell, e cila aktualisht vuan një dënim prej 20 vitesh në SHBA.

Ata përfshijnë një shofer dhe një asistente të Maxwell, si dhe një ish-anëtare të stafit që mbeti në kontakt të afërt me Epstein.

Përpjekjet për t’i kontaktuar nuk patën sukses.

Çfarë dinin autoritetet britanike?

Në deklarata të ndryshme, Policia Metropolitane ka thënë se autoritetet ndërkombëtare ishin më të përshtatshme për të trajtuar rastin.

Megjithatë, dokumentet tregojnë se autoritete të tjera britanike kishin dijeni për aktivitetet e Epstein dhe i kishin ndarë ato me FBI-në.

Një memorandum i vitit 2020 përmend akuza ndaj Clare Hazell, Kontesha e Iveagh, e cila kishte udhëtuar shpesh me avionin privat të Epstein.

Disa viktima dhe ekspertë po kërkojnë një hetim publik për të kuptuar se çfarë shkoi keq dhe si mund të parandalohet në të ardhmen.

Sipas tyre, përmasat e operacionit sugjerojnë se mund të ketë pasur hezitim nga policia për të hetuar persona me ndikim dhe lidhje të forta.