Bardhi: “Datën për zgjedhjen e kryetarit të ri e vendos Këshilli Kombëtar, nuk di që Basha të ketë shpallur kandidaturën”

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka dhënë sot një intervistë në News 24 lidhur me zgjedhjen e kryetarit të ri të PD, më 29 korrik.

Bardhi u shpreh për News 24 se do të jetë Këshilli Kombëtar ai që do të vendosë për 29 korrikun. Ajo që ka rëndësi sipas tij nuk është emri i kryetarit të ri, por legjitimiteti që do të ketë ai.

Kreu i grupit parlamentar të PD theksoi se i rëndësishëm është zbatimi i statutit, i cili duhet respektuar nga kryesia dhe institucionet e tjera brenda parties.

“Procesi që do të duhet të organizojmë do të duhet të jetë sipas statutit dhe i pakontestueshëm. Në të kundërt PD do të rifutej në ngërçin e legjitimitetit. Jam duke vlerësuar të gjitha detyrimet sipas statutit të partisë. U krijua një tymnajë sikur grupi kërkon të shtyjë procesin e organizimit apo që grupi u bashkua me Sali Berishën. Ne nuk kemi pasur asnjë ndasi mbi nevojën që ka PD për t’u riorganizuar. Kemi gjykuar që procesi do të duhet të kryhet në kohën sa më të shpejtë të mundshme. Mund të përfundonte edhe në shtator. E rëndësishme është që nga ky proces të dilnim një parti më e madhe, jo më e vogël. Në gjykimin tim dhe të grupit parlamentar për këtë kishte nevojë edhe për një fazë ndërgjegjësimi në bazë. Secili prej institucioneve brenda PD-së, që nga kryesia, këshilli kombëtar, sekretari i Përgjithshëm do të duhet të përmbushin të gjitha përgjegjësitë që i njeh statuti. Ngritja e grupeve të punës dhe organizimi janë faza që do të duhet të kryhen, por duhet të zbatohet statuti”, u shpreh Bardhi.

Më tej, ai thotë se nuk është në dijeni që Lulzim Basha të ketë shpallur kandidaturën e tij për kryetar, ndaj nuk e komentoi më tej si çështje. 

“Basha ka thënë të vërtetën kur tha se nuk është larguar ndonjëherë nga politika. Është deputet dhe aktiv në politikën shqiptare. Sa i përket kandidimit, për aq informacion sa unë kam, nuk di që Basha të ketë shpallur kandidaturën e tij për kryetar. Nuk mund të jap një vlerësim duke folur me “nëse”. Sa kohë jam i përfshirë në proces do ishte e vështirë që të shprehja opinionet e mia për kandidatura të caktuara”, tha ai.

Bardhi është shprehur i bindur se e ardhmja e PD mund të jetë pozitive pa Berishën në krye të saj, ndërsa lidhur me deklartat e Berishës për përjashtimin e Alibeajt dhe Bashës nga diskutimet, Bardhi tha se kjo gjuhë urrejtje solli rezultatin humbës të zgjedhjeve.

“Opinionin tim për Berishën ju e dini dhe është publik sa kohë do të jem në politikë. Jo se kam diçka personale me Berishën, por gjykoj se PD-ja duhet të ketë një tjetër të ardhme të saj. Sa i përket mbledhjes së përbashkët të të gjithë deputetëve, të gjithë anëtarët e grupit janë të mirëpritur, por respektoj gjykimin e secilit”, u shpreh ai.