Banorët e Zall Herrit në protestë kundër guroreve: Po shpërtheu diga e Bovillës do ‘përmbyset’ Tirana

Banorët e njësisë administrative të Zall Herrit janë ngritur ditën e sotme në protestë pasi thonë se diga e liqenit të Bovillës mund të shpërthejë.Sipas tyre,  guroret që punojnë në këtë zonë kanë dëmtuar cilësinë e ujit të pijshëm madje dhe rrugën.

Ata thone gjithashtu se kjo digë paraqet një rrezik të madh për kryeqytetin dhe zonën përreth, pasi nëse ajo shpërthen “ndërtesat do të bien si kërpudha” për shkak të sasisë së madhe të ujit.

“Nuk kemi çfarë të bëjmë. Le të vinë ekspertë për të verifikuar si është diga. Dje shpërtheu diga e liqeni artificial, por nëse shpërthen diga e Bovillës, do i këpusë si kërpudha ndërtesat e Tiranës. I kam thënë shefit të OFGJ-së që më thirri dhe nuk e mori në konsideratë denoncimin tim. Do këputen shtëpitë si kërpudha, do përmbyset Tirana nga Bovilla”, u shpreh një prej tyre.

Protestuesit deklarojnë se nuk do të lejojnë që të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë, që punojnë në guroret që janë në zonë.

Protestuesit thanë se jo vetëm që nuk kanë gjetur mbështetjen e njësisë administrative, por pohuan se kishin marrë edhe kërcënime se do t’i hiqej emri si përfitues të ndihmës ekonomike.

“Ne nuk do të lejojmë që të kalojë asnjë kamion sot. Këtu do të rrimë, deri nesër apo pasnesër. Askush nuk na ka dhënë përgjigje, as nga njësia. Madje disa kërcënohen se do të hiqen nga listat e ndihmës ekonomike. Vetë bredhin me avionë, ne s’kemi as rrugë dhe as ujë. Po e blejmë ujin se nuk pihet, disa kanë hapur puse. Jemi si në Mesjetë.”, tha një prej protestuesve.