“Bandat e krimit nuk po njohin asnjë kod, as me fëmijët”, detajet e atentatit në shtëpinë e Gentian Bejtja-s

Atentati që ndodhi dy netë më parë në shtëpinë e Gentian Bejtjas në Krujë konfirmoi se personazhet e krimit nuk po njohin asnjë kod.

Gazetari Armand Bajrami i cili ka folur për Neës 24 ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen ku humbi jetën 29 vjeçari Ramazan Sino.
I riu që nuk iu shpëtoi dot të shtënave ishte duke drejtuar automjetin e tij, në të cilin ishte edhe Gentjan Bejtja, një personazh me të kaluar problematike, teksa po i drejtohej banesës së kunatit të tij, ku disa metra më tutje u qëllua me breshëri armësh dhe mbeti i vrarë, ndërsa dy fëmijë të mitur që ishin në makinë u plagosën.

Gazetari tha se atentatorët kanë gjuajtur me kallashnikovë nga dy distanca, duke goditur nga një pjesë e fshehur me kallamishte dhe më pas rreth 20 metra më tutje gjatë largimit nga skena e ngjarjes.

Bajrami shtoi se automjeti i autorëve tip Volksvagen Golf është gjetur i djegur tërësisht, ndërsa brenda tij janë zbuluar dhe 3 armë kallashnikovë që dyshohet se janë përdorur gjatë atentatit.

“Ka qenë një ngjarje e rëndë ku kanë mbetur 2 fëmijë të plagosur nga armët e zjarrit, ndërsa as personazhet e krimit nuk po njohin asnjë kod.

Më pas kanë qëlluar edhe nga një distancë tjetër në largim e sipër, rreth 20 metra më tutje. Ka qenë një familjar i familjes Bejtja që ka dëgjuar krismat herën e parë dhe ka dalë në dritare ku ka parë në distancë atentatorët duke ikur. Grupi hetimor ka administruar pamje të një kamere në banesën e Bejtjas që për shkak të një peme nuk ka filmuar dot ngjarjen.

Rreth 20 minuta më vonë automjeti i përdorur nga autorët është gjetur i djegur plotësisht, ndërsa janë gjetur edhe 3 automjete kallashnikovë që janë përdorur gjatë atentatit”, u shpreh ai.