“Ballkani i Hapur” nuk është mbyllur

Nga 1 marsi i këtij viti do të hyjë në fuqi një marrëveshje që është firmosur në Shkup nga qeveria shqiptare, serbe dhe ajo e Maqedonisë së Veriut, që do të mundësojë lëvizjen e lirë të punonjësve.

Lajmi bëhet i ditur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, duke treguar se nisma “Ballkani i Hapur” vazhdon ende.

Sipas lajmit, të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Serbisë, përfaqësuesit e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nënshkruan dje në Shkup, marrëveshjen në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur’, që do të mundësojnë krijimin e një tregu të lirë pune për vendet anëtare të kësaj nisme.

Por po të kthehemi pas në kohë, në korrik të vitit 2023, kryeministri Edi Rama në një deklaratë nga Shkupi tha se nisma e “Ballkanit të Hapur” ka dhënë rezultate “fantastike”, por sipas tij shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor tani me “mendje e zemër” duhet të përqendrohen në Procesin e Berlinit duke nënkuptuar se kjo nismë tashmë ishte mbyllur.

Në fillim të korrikut, Rama kishte deklaruar se nisma e Ballkanit të Hapur lindi për të çuar përpara Procesin e Berlinit dhe sipas tij, ky mision është kryer.

“Për domosdoshmërinë që të gjithë së bashku të futemi nën ombrellën e Procesit të Berlinit si rezultat, ajo që unë dua të përsëris është që ne duhet të zhytemi me mendje dhe zemër në Procesin e Berlinit për ta kthyer atë në një proces funksional, ashtu siç tregoi Ballkani i Hapur se ne mund të jemi funksional kur jemi së bashku. Procesi i Berlinit nuk ngeci nga ata që ngritën Ballkanin e Hapur, por nga vetot e jo s’dua këtë, jo nuk vijë aty, jo nuk firmosi, jo shihemi nesër…Shpresojmë që tani t’i japim një shtysë të re duke pasur parasysh se tani nuk është një proces si deri më sot, por shpresoj ta kthejmë në një proces të tillë me planin e ri të financimeve të Bashkimit Evropian”, u shpreh Rama para disa muajsh.

Por siç duket, “Ballkani i Hapur” nuk është mbyllur ende. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje duket se “rrëzon” deklaratat e Ramës.

Nisma rajonale, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Më 29 korrik 2021, nisma mori emrin “Ballkani i Hapur”.

Kjo iniciativë u kundërshtua nga opozita në Shqipëri dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.