Balla udhëzime policisë si Ministër: Kur t’ju telefonojnë deputetët drejtojini tek unë

Taulant Balla mbajti mëngjesin e sotëm fjalimin e parë si ministër i Brendshëm ku komunikoi prioritetet e detyrës së tij të re.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Policisë së Shtetit, Balla tha se nuk do të vijë me reforma për emërime dhe heqje nga puna, por për ata që nuk tregojnë gatishmëri të punojnë me të, nuk ka vend.

Gjithashtu ai tha se në rastet kur deputetët marrin në telefon drejtuesit e policisë, këta të fundit duhet të përgjigjen me respekt për të dëgjuar shqetësimin por nuk duhet të ndikohen në vendimet e tyre në punë.

“Kush pranon ndërhyrje nga deputetët, nuk do të mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar në detyrë. Keni detyrë t’i dëgjoni me respekt, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në punën tuaj, ta drejtoni te unë.”

Ndërsa, sa i përket dhunën e Rrajave për çështjen e gurores që solli dhe shkarkimin e paraardhësit të tij, Balla bëri të ditur se ka kërkuar nga policia e shtetit të arrestojnë vëllain dhe djalin e Rrahman Rrajës.Sipas tij, shkrirja e komisariatit të Fushë Krujës ishte përgjigjja e duhur ndaj, siç u shpreh ai, një dështimi shumë të thellë.

Ministri tha se situate në fjalë u krijua prej tolerancës së policisë së zonës që nuk dëgjoi ankesat e banorëve.  “Sot sapo kanë marrë emërimet drejtuesit e rinj, por shkaqet e atij dështimi janë aty dhe nuk janë vetëm në Fushë Krujë, por edhe në disa zona periferike të vendit, ku syri i drejtorisë së përgjithshme apo drejtorit të qarkut ka qenë miopë dhe duhet të hapet menjëherë. Sot jo nesër”, tha Balla.

Balla premtoi rritje të standardit të jetesës së punonjësve të policisë por edhe përmirësim të kushteve të tyre të punës.Ministri i ri Brendshëm premtoi se nga ai nuk do dëgjohen shumë fjalime teksa shtoi se shpreson të bëjë rolin e tij për të sjellë ndryshime të mëtejshme “që shqiptarët meritojnë nga kjo ministri.”

Balla u shpreh se drejtorë e shefa komisaratesh u japin kriminelëve informacione sensitive. Ai ka theksuar se kjo nuk duhet të ndodhë më dhe se brenda 10 ditëve duhet t’u lexohet kodi etik çdo efektivi të policisë.

“Ka një kod etik të pazbatuar deri tani, që thotë se drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk mund të ulen në kafe, restorante as gjatë dhe as pas punë, përveçse për arsye familjare ose nëse kanë vënë në dijeni eprorët. Jo vetëm që kështu nuk ndodh por drejtorë e shefa komisaratesh frekuentojnë lokalet ditën dhe natën, por kanë edhe kontakte të papërshtatshme, u përcjellin kriminelëve informacione sensitive të punës dhe aksioneve policore. Ka edhe rrugë të tjera, por kjo është një karshillik poshtrues për gjakun e dëshmorëve. Po ashtu është edhe shembulli më i keq i efektivëve. Brenda 10 ditëve nga sot, Kodi Etik do i lexohet çdo efektivi të Policisë, do të vendohet edhe në hyrje të çdo Komisariati. Komisariati dixhital duhet të marrë një peshë të rëndësishme”– tha Balla.