“Babai im është presidenti juaj”, Vuçiç thotë se i biri u ndalua tre herë nga policia në Kosovë, përgjigjet ministri Sveçla

Ditën e djeshme djali i presidentit serb Aleksandër Vuçiç u ndalua nga policia në Kosovë, ku kishte hyrë për të marrë pjesë në festën e Vidovanit në Graçanicë.

Ai së bashku me një grup tjetër të rinjsh kishte veshur bluzën me mesazhin “Dorëzimi nuk është opsion”, një mesazh provokues për Kosovën.

Policia e ka ndaluar dhe i ka hequr bluzën por sipas presidentit serb ai nuk ka pranuar dhe iu është përgjigjur teksa policët e Kosovës i kanë drejtuar armën.

Danillo nuk ka pranuar dhe më pas i kanë drejtuar armët dhe e kanë pyetur – “Emri i babait?” Ai u përgjigj: “Aleksandar! Ky është babai im dhe presidenti yt!”. Bluza e tij nuk ishte hequr, fytyra e tij nuk ishte njollosur. Dorëzimi nuk është një opsion”, ka shkruar Vuçiçi.

Pas kësaj deklarate ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka gënjyer kur tha se djali i tij u ndaluar tre herë nga Policia.

Sveçla ka sqaruar se ai është ndaluar vetëm njëherë dhe i është kërkuar që të largojë bluzën në të cilën kishte shkrime provokative.

“Gjithë e dimë që Vuçiq ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit por që është gënjeshtar kronik po na e dëshmon çdo ditë. Ai nuk është ndal tri herë por vetëm njëherë në dalje të komunës së Prishtinës në drejtim të Serbisë”, tha Sveçla.

Për sa i përket hyrjes së tij në Kosovë, ministri u shpreh se djali i Vuçiçi, Danilo ka hyrë në Kosovë si qytetarë i rëndomtë.

“Sa i përket djalit të Aleksandër Vuçiqit, ai në Kosovë ka hyrë si një qytetarë i rëndomtë. Edhe sipas marrëveshjes së Brukselit por edhe sipas praktikave të deritanishme për hyrjen e qytetarëve të rëndomtë nuk ka procedura të veçanta,.

Ai pastaj u shfaq në Graqanicë me atë bluzë provokative. PK-ja sipas informatave që mi kanë dhënë kanë marrë vendim që t’i ndalin veturat që janë sjellë në mënyrë të dyshimtë.

Atij i është kërkuar dhe është realizuar heqja e bluzës me mesazh provokativ për shumicën e qytetareve të Kosovës dhe me kaq e gjitha ka përfunduar dhe ata janë larguar për Serbi”, u shpreh ministri.