Prokuroria e SPAK ka dhënë sot pretencën për dy të akuzuarit për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Rigers Runaj.
Ky i fundit u gjet i masakruar me thika dhe i hedhur në një zonë ku nuk kalonte askush pranë varrezave të Elbasanit.
Babai i tij, Jetnor Runaj, teksa i drejtohej dy të akuzuarve, që ishin në sallën e gjyqit, kërkoi dënimin e të rinjve, siç e përcakton ligji. Mes të tjerash ai tregoi jetën e vështirë pas vrasjes së të birit, sëmundjen e gruas dhe pritjen në shkallë se mos djali i tij ‘kthehet’.
“Ne jeni fukarenj, jemi njerëz të këputur. Dua drejtesi për vrasjen e djalit. Gruaja ime është e sëmurë, shpesh e mbyll në dhomë, se kam frikë mos i ndodh diçka. Djalin ma vranë me 27 thika, u them këtyre çunave; mua vetëm një thikë më duhet, që të shkoj tek im bir. Dua që këta dy çunat të marrin atë që meritojnë, asnjë ditë më shumë. Çdo ditë rri në shkallë dhe pres djalin, por ai nuk vjen. Me kuptoni dhe mua, ju gjyqtar dhe prokuror, i përqafoni fëmijët tuaj. Unë pres që djali të më kërkojë lekë për cigare.”, tha babai i viktimës, raportoi për BalkanWeb gazetarja Klodiana Lala.